Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Breshias pasi një avion i vogël u rrëzua papritur mbi një segment të autostradës, duke shkaktuar vdekjen e dy personave që ndodheshin në bord.

Sipas raportimeve të para nga “Brescia Today”, avioni u përplas me tokën dhe shpërtheu në flakë vetëm disa centimetra larg automjeteve që po qarkullonin. Mrekullisht, asnjë nga shoferët apo pasagjerët në rrugë nuk pësoi lëndime, ndonëse u përballën me një skenë traumatike.

Në bord ndodheshin avokati i njohur 75-vjeçar, Sergio Ravaglia, dhe pasagjerja Anna Maria De Stefano, 50 vjeç. Të dy humbën jetën si pasojë e përplasjes së dhunshme. Dëshmitarët thanë se panë avionin të humbiste kontrollin në ajër dhe të binte në mënyrë të pakontrolluar, duke lënë shumë pak kohë për ndonjë reagim nga autoritetet apo mjetet në rrugë.

Ngjarja ndodhi në mesditë, në një nga segmentet më të frekuentuara të autostradës pranë Breshias. Pamjet e para të publikuara në media tregojnë një skenë kaosi, me tym të dendur dhe forca të shumta zjarrfikëse që përpiqeshin të shuanin flakët.

Autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Ekspertët e aviacionit civil janë në vendngjarje dhe po punojnë për të analizuar mbetjet e avionit si dhe për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, gabim njerëzor apo kushte të papërshtatshme të fluturimit.

By Editor