Nga Lutfi Dervishi

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur instiktivisht, cilido shtron disa pyetje të thjeshta: Kush është përfshirë? Ku(r) ndodhi? Si ndodhi? Pse ndodhi?

Në gazetari mund të kenë ndryshuar shumë gjëra, por jo elementët e një lajmi. Në kohën kur gjithkush shndërrohet në gazetar mjaft të ketë një celular dhe një llogari në rrjete sociale, mësimi i së vërtetës po bëhet përherë e më i vështirë për shkak të kakofonisë dhe për shkak të atyre që duan ta shohin të vërtetën shtatë pash nën dhé

Familja dhe shoqëria e duan të vërtetën. Politika dhe autoritetet mund të kenë interesa të tjera. Në një anë mbase duan ta mbulojnë atë çka ka ndodhur, e në anën tjetër të shfrytëzojnë ngjarjen për të shmangur debatin publik nga çështje të tjera.
Këto janë hipoteza nga leximi i situatës, por vetëm kaq ama deri në këtë moment.

Ajo që të tërheq vëmendje, është qasja e një gazetari që sot po kërkonte publikisht llogari nga autoritetet për të “zbardhur të vërtetën”.

Ngjarja: tragjedia e 14 vjeçarit në Tiranë.

Padyshim që edhe gazetarët janë qytetarë që kanë të drejtë të presin zbardhjen e të vërtetës nga autoritetet, por media ka lindur pikërisht për të zbuluar dhe thënë të vërtetën. Jo për të sfiduar a garuar organet ligjzbatuese por për t’i ndihmuar ato ose për t’i vendosur përballë përgjegjësisë kur nuk kryejnë detyrën.

“E vërteta” deri më tani është ajo që thonë autoritetet, por ama fatkeqësisht është provuar e stërprovuar se shpesh mashtrojnë. Aq më tepër që policia apo prokuroria për interes të hetimit/mbulimit mund të hedhin në treg, përmes gazetarëve, pista që veç të vërtetës nuk i interesojnë.

Por si zbardhet një ngjarje që sa vjen dhe shndërrohet në mister?

Duhet folur me sa më shumë burime për të kuptuar të vërtetën dhe duhet të jesh sa më afër ngjarjes.

Duhet folur me fëmijët e përfshirë, me shokët dhe shoqet e tyre të klasës apo lagjes. Duhen dëgjuar mësuesit, prindërit. Duhet folur me psikologun, me oficerin e sigurisë, me ata që u gjendën në ngjarje, me ata që dhanë ndihmën e parë, me mjekë, me infermierë, me pastrues, me psikologë, me policë, me prokurorë, me inspektorë. Me këdo që të jetë e mundur. Një reporter mund të kishte kërkuar ndërkohë të shihte (vetëm të shihte) kamerat e bizneseve aty pranë, pikërisht për të kuptuar më mire se çfarë ka ndodhur…

Sepse gjëja më e vështirë është gjetja e fakteve.

“Sa për faktet… nuk e pashë të arsyeshme që t’i përshkruar sipas dëshmisë së të parit që ndesha në rrugë, as “ashtu siç ma merrte mendja mua”, por duke shqyrtuar imtësisht si ngjarjet ku isha vetë dëshmitar ashtu edhe ato që mësoja nga të tjerët. “Gjetja” e fakteve ishte e lodhshme, pasi ata që kishin qenë dëshmitarë në secilën ngjarje nuk jepnin të njëjtin variant për të njëjtën ngjarje, por në secilën mbanin anën e njërës apo tjetrës palë; shto këtu dhe vështirësitë për të mbajtur mend pas asaj kohe që kishte kaluar”.

Kjo këshillë 2500 vjeçare për faktet vjen nga Tuqiditi, në hyrje të tregimit të tij për luftën e Pelopenezit.

Sot e vërteta duket se është edhe më e vështirë të dalë në dritë sepse jetojmë një kohë kur më shumë se për të dëgjuar të vërtetën investohet për të rritur volumin e zhurmes. E vërteta është e vështirë sepse çdokush është reporter, analist, avokat pa licencë, dhe nuk është i interesuar për më shumë drite, por për me shume mjegull.

Sot, nuk është e lehtë të ndash të vërtetën nga gjysëm e vërteta; opinionin nga thashethemi, informacionin nga dizinformacioni.

Në epokën e Inteligjencës Artificiale duket si paradoks kthimi 2500 vjet pas te kërkimi fakteve. Por faktet, siç thoshte Tuqiditi, nuk janë të lehta për t’u gjetur. Dhe mbi të gjitha, ato janë gjithnjë subjektive kur vijnë nga dëshmitarët, autoritetet apo rrjetet sociale.

Në rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, janë ende disa pyetje të cilat, edhe një javë pas ngjarjes, nuk kanë marrë përgjigje të qartë. Pse ka ndodhur? A ka të tjerë të përfshirë? A ka pasur shkaqe të tjera që ende nuk i kemi zbuluar?
Kur rilexon deklaratat zyrtare gjen kontradikta, përgjithësime bajate, apo detaje të lëna qëllimisht në hije.

Një gazetar nëse mjaftohet me versionin zyrtar duhet të ndërrojë profesion. Hulumtimi nuk është një akt pasiv – ai kërkon mendje dyshuese dhe guxim për të zbuluar/thënë të vërtetën. Një gazetar i mirë shqyrton çdo pistë të mundshme dhe nuk harron se çdo detaj, sado i vogël, mund të jetë kyç për zbardhjen e së vërtetës. Dhe në raste të tilla më shumë se ajo që thuhet duhet shqyrtuar çfarë nuk po thuhet. Asgjë nuk mbahet dot e fshehur për gjithmonë.

Në fund të fundit, sikurse shkruante Tuqiditi, faktet flasin edhe atëherë kur ne nuk duam t’i dëgjojmë.

By Editor