Marko Xhampaolo dha një shpjegim shterrues lidhur me zgjedhjen e tij për të aktivizuar Medon Berishën në vend të Ylber Ramadanit në qendër të mesfushës.

Trajneri i Leçes theksoi se Berisha është më krijues në lojë, ndërsa ky element i mungon Ramadanit, i cili jep më të mirën vetëm në fazën mbrojtëse.

“Berisha është një lojtar i fortë dhe ka të gjithë vlerësimin tim. Duhet të bëjë hapin e tij, të sigurojë vazhdimësi në ndeshje. Zgjedhja e lojtarëve nuk është kurrë absolute, është e ndikuar edhe nga lloji i kundërshtarit. Zgjedhjet i bëj sipas ndeshjes, në bazë të opsioneve që kam. Berisha është një lojtar që mua më pëlqen.

Ramadani? Nuk mendoj se është një problem personaliteti, duhen respektuar karakteristikat e lojtarëve. Helgason mund të gjuajë, Ramadani më pak. Ka mesfushorë me prirje ofensive dhe mbrojtëse. Pastaj duhet të gjejmë golin edhe nga goditjet standarte. Ata, pak a shumë, punën e tyre po e bëjnë. Sipas meje, flasin karakteristikat. Do të gjesh një mesfushor që nuk gjuan kurrë, do të gjesh një që nuk bën asnjë depërtim – secili ka një bagazh individual. Por nuk është një problem për t’u diskutuar sot, kur mbeten 8 ndeshje nga fundi i kampionatit. Ndoshta do të flitet në qershor – kjo nuk na çon askund,” – tha Xhampaolo para gazetarëve.

Leçe barazoi 1-1 në përballjen e djeshme në shtëpi ndaj Venecias, ndërsa po lufton për mbijetesë në Serinë A.

By Editor