Nga Klodi Stralla

Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën Stefanit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke që kishte shpërthyer më 24 prill 1877. Pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit.

Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev dhe Aleksandër Nelidov, dhe atyre osmanë, Safet Pashës, ministër i Punëve të Jashtme, dhe Sadullah Beut, ambasador në oborrin perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat.

Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi me Traktatin e Shën Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit, por sidomos midis Fuqive të Mëdha, të cilat nuk e shihnin me sy të mirë rritjen e influencës ruse në Ballkan. Ky ishte shkaku që, me nismën britanike, u thirr në Berlin “Kongresi i Berlinit” (qershor–korrik 1878), i cili i kufizoi disi pretendimet e ekzagjeruara ruse.

Sipas Traktatit të Shën Stefanit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi, deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë.

Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë km² në 52,7 mijë km². Mali i Zi rritej nga 4,7 mijë km² në 15,7 mijë km². Sipas këtij traktati, brenda kufijve të tij hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit Buna, pothuajse gjithë liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën dhe Gucinë. Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë.

Këtu filloi edhe lëvizja kombëtare shqiptare (Lidhja e Prizrenit – 10 qershor 1878), ku elitat politike e kuptuan se ndarja e territoreve të tyre nga fqinjët grabitqarë ishte çështje kohe. Gjithsesi, ata ishin të vonuar dhe pa përkrahjen e asnjë Fuqie të Madhe, përveç “Portës së Lartë”, e cila dëshironte t’i mbante nën sundimin e vet, si pesë shekuj më parë.

Sa për popullin, ai ishte në një lloj “narkoze” nga propaganda osmane, që i quante myslimanët shqiptarë “turq”, dhe ajo greke, që i quante ortodoksët shqiptarë “grekë”.

Vonesat gjithmonë kanë çmime të hidhura! Ja pse duhet ta njohim mirë historinë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *