Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar. Donald Tramp u dorëzua para autoriteteve në Xhorxhia. Ndryshe nga dy proceset e tjera, ish-presidentit iu desh të paraqitej në një burg famëkeq të Atlantas ku iu nënshtrua procedurës si i akuzuar, përfshirë dhe fotografimin e tij.
Procedura zgjati për 20 minuta dhe Tramp u la i lirë kundrejt një garancie financiare prej 200 mijë dollarësh.
Pas përfundimit të procedurës Tramp u tha sërish gazetarëve se procesi ndaj tij ishte një farsë e motivuar politikisht.
“Ajo që po ndodh këtu është një farsë e sistemit të drejtësisë. Nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe të gjithë e dinë këtë gjë.” – u shpreh ai.
Donald Tramp bashkë me 19 persona të tjerë akuzohen se tentuan përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Xhorxhia në vitin 2020.