Mediat britanike dhe ato amerikane bëjnë me dije se ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Tramp mund të vihet nën akuzë pasi dyshohet se pagoi aktoren e filmave pornografike, Stormi Daniles në mënyrë që kjo e fundit të heshtë lidhur me raportin e supozuar që të dy kishin pasur së bashku.
Shuma që Tramp pagoi për të blerë heshtjen e Daniels mendohet të jetë 130 mijë dollarë.
Raportohet se Prokuroria e Manhatanit po heton lidhur me këtë çështje dhe Tramp mund të arrestohet dhe të përballet personalisht me akuzën.
Sakaq, britanikja ”Daily Mail” ka ofruar detaje se si u thye raporti i Donald Tramp me bashkëshorten, Melania Tramp gjatë përiudhës së presidencës së Tramp. Tabloidi britanik shkruan se në vitin 2018-të, Melania ishte larguar për disa ditë nga Shtëpia e Bardhë pasi mësoi për lidhjen që bashkëshorti i saj kishte pasur me Stormi Daniels. Raportohet se Melania qëndroi për disa ditë në hotel, ndërsa më pas shkoi në një plazh të Floridas duke e lënë presidentin të vetëm në Forumin e Davosit të mbajtur në vitin 2018-të.
Mungesa e Melanias në atë forum sikletosi jo pak përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë të cilët e justifikuan mungesën e saj me alibi si “mospërshtatje oraresh”.
Para pak ditësh ishte vetë Donald Tramp ai që paralajmëroi një arrestim të mundshëm të tij duke u kërkuar amerikanëve të dalin në protesta për të mbrojtur kombin e tyre.