Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, pret që Kamboxhia dhe Tajlanda të respektojnë plotësisht angazhimet e tyre për armëpushim, pas përplasjeve vdekjeprurëse përgjatë kufirit të diskutueshëm mes dy vendeve, deklaroi të hënën një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
“Presidenti Tramp është i përkushtuar ndaj ndërprerjes së vazhdueshme të dhunës dhe pret që qeveritë e Kamboxhias dhe Tajlandës t’i përmbushin plotësisht angazhimet e tyre për t’i dhënë fund këtij konflikti,” u shpreh zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Deklarata vjen në një moment kur Tajlanda nisi sulme ajrore të hënën në mëngjes, si përgjigje ndaj një sulmi të mëparshëm nga forcat kamboxhiane, i cili vrau të paktën një ushtar tajlandez dhe plagosi disa të tjerë. Këto zhvillime kanë vënë në rrezik një marrëveshje të brishtë armëpushimi, të nënshkruar në tetor në Kuala Lumpur, në prani të Donald Trump dhe kryeministrit të Malajzisë, Anwar Ibrahim.
Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan muajin e kaluar, pasi Tajlanda pezulloi masat e uljes së tensioneve pas shpërthimit të një mine tokësore në provincën Si Sa Ket, ku u plagosën katër ushtarë tajlandezë.
Në korrik, Kamboxhia dhe Tajlanda ranë dakord për një armëpushim pa kushte gjatë një takimi trepalësh të organizuar nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, duke i dhënë fund disa javëve të armiqësive të ashpra kufitare.

