Nga Hasan Bello

Një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar të Perandorisë Osmane në shekullin XIX ishte Namik Kemal. Përveç origjinës së tij shqiptare, ai njihej si kritik i fortë i situatës politike që kishte përfshirë perandorinë. Tregohet se një ditë, disa miq i folën me shpoti, duke i kujtuar se kishte vite që paralajmëronte për rrënimin e shtetit, por perandoria vijonte të qëndronte në këmbë. Namik Beu u përgjigj: “Perandoria nuk është ndonjë frut i kalbur që sëmuret në drekë, vdes në darkë dhe varroset të nesërmen. Për një shtet qindravjeçar, agonia zgjat pesëdhjetë vjet.” Namik Kemali vdiq në vitin 1888, ndërsa Perandoria Osmane ra zyrtarisht në vitin 1923.

Mos u çudisni, pra, kur krahasoj shtetin shqiptar me një skemë piramidale. Më poshtë, po rendis tre arsye pse kjo krahasim qëndron.

1. Korrupsioni

Elitat politike e kanë shndërruar korrupsionin në një kulturë kombëtare. Ai është bërë kapilar, i pranishëm nga qendra deri në periferi. Sot, zakonisht nuk vjedh vetëm ai që nuk ka mundësi, ose që nuk di si të vjedhë. Kjo ka ndarë shqiptarët në dy kategori: ata që vjedhin dhe ata që vidhen. Të dytët janë shumicë dhe, paradoksalisht, konsiderohen të paaftë dhe “defiçentë”.

Korrupsioni nuk është më thjesht problem moral apo ligjor; ai është themel strukture. Ai krijon një reaksion zinxhir problemesh, dhe më i rëndi ndër to është…

2. Braktisja e vendit për një jetë më të mirë

Eksodi masiv i shqiptarëve nuk është as rastësi dhe as modë e shtyrë nga reklamat e dikurshme të “Italia Uno”. Ai është pasojë direkte e keqqeverisjes, e politikave përjashtuese dhe e një sistemi të pabarabartë që nuk ofron shanse, por privilegje për të afërmit dhe të lidhurit me pushtetin. Shqipëria nuk është vend i meritës, por i “mik-ut” dhe “lek-ut”.

Ajo që trondit nuk është vetëm largimi masiv, por indiferenca e klasës intelektuale – pedagogë, artistë, akademikë – të cilët heshtin përballë zbrasjes dramatike të vendit. Është një heshtje që kufizohet me bashkëfajësi.

3. Bujqësia, ushqimi dhe siguria ushqimore

Shqipëria ka eksperimentuar me të gjitha rrugët për t’u shndërruar në një vend industrial, me ndihmën e fuqive të mëdha të kohës si Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Ka dështuar. E vetmja alternativë reale ekonomike mbetet bujqësia, blegtoria dhe, vitet e fundit, turizmi.

Por politika ka treguar një papërgjegjshmëri kriminale ndaj bujqësisë dhe sigurisë ushqimore. Kur zhduken 9 mijë lopë dhe dhjetëra mijëra dele për vetëm një vit, kjo do të thotë se nuk ka më prodhim vendas të mjaftueshëm për qumësht e mish – që përbëjnë mbi 50% të konsumit bazë.

Kjo refletohet në rritjen galopante të çmimeve: në fund të qershorit, një kilogram karrota kushton mbi 1.5 euro, çmime që janë dukshëm mbi mesataren e vendeve fqinje të BE-së.

Atëherë, për çfarë turizmi flasim kur nuk arrijmë të përmbushim nevojat më minimale të popullsisë vendase?

By Editor