Një ngjarje ka tronditur Durrësin, ku tre fëmijë u gjetën të mbyllur në banesën e tyre për disa ditë pa praninë e nënës. Rasti u denoncua nga ish-vjehrra e nënës së fëmijëve, duke vënë në lëvizje institucionet përkatëse.
Aktualisht, nëna, Blerina Basha, ndodhet së bashku me tre fëmijët në spitalin e Durrësit, ku të miturit janë duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe analizave. Sot, Shërbimi Social pritet të marrë një vendim për fatin e fëmijëve, më i madhi 12 vjeç dhe më i vogli 5.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për BalkanWeb se rreth orës 10:00, përfaqësuesit e Shërbimit Social do të shqyrtojnë rastin dhe do të vendosin nëse do të nisë procedura për heqjen ose jo të kujdestarisë së nënës, e cila dyshohet për braktisje.
Sipas informacioneve, nëna dhe fëmijët ndodhen në repartin e Pediatrisë në spitalin e Durrësit, në pritje të vendimit zyrtar. Burime bëjnë me dije se përfaqësues të Shërbimit Social do të paraqiten në spital për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm lidhur me kujdestarinë e të miturve.
Ndërkohë, mësohet se gjatë ditës së sotme në spital pritet të paraqitet edhe babai i fëmijëve, i cili jeton në Itali. Zhvillimet e mëtejshme do të bëhen të ditura pas vendimit të institucioneve përgjegjëse.

