Arsenali barazoi 3-3 në shtëpi ndaj Sauthemptonit të vendit të fundit duke u dhënë një goditje të madhe shpresave për titullin kampion. Ky është barazimi i tretë radhazi për topçinjtë pas atyre ndaj Liverpulit dhe Uest Hemit, ndërkohë që diferenca me Mançester Sitin ndjekës është 5 pikë, me djemtë e Guardiolës që kanë dy ndeshje më pak.
Tekniku i kryesuesve, Mikel Arteta tha se ende ka besim te skuadra e tij e cila më 26 prill luan në “Etihad Stadium” përballjen direkte me Mançester Sitin.
“Ajo për të cilën ne po luajmë është diçka e pabesueshme. Klubi nuk ka luftuar për këtë pozicion për një kohë të gjatë. Titulli tani nuk është më në duart tona, por ne duam ta fitojmë atë. Kthesat janë pjesë e çdo gjëje në jetë, veçanërisht në futboll.” – u shpreh Arteta.