I.
Atdhedashuria
Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt
Ku ka fusha të gjera me vese
Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë
Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshkurtër
që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe
Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile,
po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetëPo unë s’mërzitem
As ofendohem,
Europës nuk i mbaj mëri.
Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin
Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;
Duke mallkuar malet e larta krenarë
Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…
Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.
E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,
Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse
Për të shpallur në paqe e pa bujë
Pavarësinë e Mendjes Time…
II.
Të dua
Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur
dhe shtrati i djersitur ngjan me një re,
me duart që të dridhen me sytë e një fëmije
papritur me pyet, “a ka të tjerë si ne”?
Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?!
Të dua, të dua, të dua – unë kaq di
të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti
Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim
neve botën nuk e njohim, parajsën ne e dimë
akrepat po lëvizin, toka rrotullohet
hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…
Të dua, të dua, të dua dhe ti e di
sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.
Dhe ndjej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur
shrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë
me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur
tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”
Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur, në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?
III.
Parathënie
Këtë fundshekull
Ju
Nuk para lexoni poezi,
Por unë shkruaj akoma më shumë.
Është një kokëmushkësi shqiptarçe
Por konkrete,
Si një kometë që zhgarravit qiellin
Është një inat ujor,
Që tokën e bën të rrafshtë
Si në legjendat e vjetra biblike;
Tipik për Bashkësinë tonë
Të përbërë nga
Fjalë, zjarr, ëndrra dhe letër;
Për racën tonë
Të dalë jashtë mode.
Nuk dua të llomotis më
Njerëz,
Ne j’u kemi lënë me barrë
Në shtrat pa shkuar ende.