I.
Nostalgji
E mora në duar kokën tënde,
prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.
Në sytë e tu si në një ëndërr rashë
dhe më s’u zgjova.
Në sytë e bukur si loti.
Me gishtat e dridhur të dashurisë
emrin tënd shkërmoqa germë për germë.
Të thirra e dashur,
Të thirra motër,
Të thirra nënë.
Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,
natyrshëm siç mbin bari.
Oh, hapi ata sytë e zes,
hapi, të vijë
behari.
Hapi ata sy
më përrallorë se fantazia e Zhyl Vernit,
dy lëndina ku rritet lirizmi.
Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm
Veten më mirë kuptova,
ty,
njerëzimin.
Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,
je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.
Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë, tri mijë vjet?
Me ty e kam lindur Prometeun,
me ty shekullin e njëzetë.
Po ty
të zuri gjumi?
Shtrihu.
Ti më mësove të vërtetën e madhe:
DASHURIA ËSHTË NJË MONUMENT
MBROHET NGA NJERIU!
II.
Requiem
Pasi i hëngrën të gjitha banketet,
Pasi i shijuan të gjitha presidiumet,
Pasi i morën të gjithë çmimet, të gjithë titujt,
Pasi i bënë të gjitha udhëtimet jashtë shtetit,
Befas një mëngjes folën krejt ndryshe:
Atë që kemi puthur, ta pështyjmë tani.
Dhe zgjatën duart prapë drejt banketeve, çmimeve,
titujve, udhëtimeve…
Rituali i ripërtypjes filloi në remaxhor:
përtyppështy, pështypërtyp…
Zoti të ruajt, demokraci!
III.
Vetën e vrasim përditë
Vetën e vrasim përditë
në tavolina të pista kafenesh
në rrjeshta të ndytë gazetash
në qarqe prapësish, intrigash
vritemi në një vdekje të ngadaltë
dhe, oh, zot,
s’arrijmë ta kuptojmë vetëvrasjen tonë
vjen pastaj një çast merr revolverin
këmbëza nuk hiqet
ke vdekur prej kohësh.
I vdekuri nuk vetvritet.