I.

Vapa e shpirtit

Vapa e shpirtit

Nën një lëvore ahu,

këndon gjinkalla e padukshme 

vapën e shpirtit.

Ju,

nuk  i njihni prrojet e kristalta të zemrës téme.

Gjeografia juaj i lidh lumenjtë me Lanën,

aty e parkoni shpirtin,

bri ujnave t’flliqta.

Asnjiherë s’delni shëtitje 

me pishat e shkëmbinjtë që nuk ecin,

po vallëzojnë në qiell..

Atje princi jém mbledh boça pishash,

luen mbramjeve me mue,drenusha e zogj.

Ai m’puth e unë perëndoj mbas majeve 

e përflakun si diell.

Po më thoni bre,

purgatorin e parajsën te “Ferri” 

a nuk i shkroi vetë kisha?

Kryevepra e Ajnshtajnit 

a nuk ásht e dashtuna e tij sovjetike 

që as Hoover i FBI-së nuk ia gjeti kurrë?

E bombën, bombën atomike 

a nuk e shpikën fëmijët e lagjes téme 

kur luejshin kaladibrançe,

lojë me t’hipun?

Bijë e gjarpnit dhe diellit,

mbesa e Shasit ilir,

te teatri “Migjeni” në Shkodër,

fle gjumë mbi mustaqet e Niçes,

s’pyes për zota e idhuj.

Për mu veç nji princ ka lind’

ua thashë!

Ai lidh kuajt në hánë,

unë shkoj mbas tij lëndinës në kámbë,

andej kah i bihet me shkue te vetja…

II.

Një herë në njëmijë vjet 

Erdhën shirat e mermertë të ndarjes,

si flokë skulpturash t’saponxjerra prej dheut.

Shkruajmë me gjuhë 

në qiellzat e gojëve  hapun prej habie.

Si ásht e mundun?

Na përgjigjen veç gjethet që rr’zohen vjeshtës kadalë.

Pyjet kanë fillu me u tremb prej zogjve,

lulet janë helmu prej bletëve,

pishat u ikën shkëmbinjve,

ndrruen vend me kallamat n’moçal.

Asgjá nuk àsht e qartë,

s’ka qenë kurrë.

Qysh kur befas biri i zotave Adami i tha Evës:

-Ti je grua.

-Unë jam buurrë!!

E vuni përfundi gruan e mollës,

të parën qenie t’revoltueme.

Ja pse bajmë dashni një herë në njëmijë vjet 

e vdesim t’përmalluem…

III.

Fluturova

Fluturova shpirt,

me pak hánë e diell në xhepa,

si vajzë e rrëmbyer 

gjithnji marr n’thue 

qiellit tand.

Grue kuarci që djeg urór

e nuk blue sende të buta.

Në asnji oqean nuk hidhesh me u mshef,

asht si me hedh dromca zogjve 

me ju ndal fluturimin.

S’ka mjegull as hije

që t’mshef prej syve të shpirtit.

Burrë në burrë,

qiell e lulishte.

Asnji stuhi s’më zén bri teje.

T’i njoh ofshamët,

aromën e trupit,

të kam puthje në kujtesë,

si gjurmë Dinosauri mbi gurë.

Ti m’nisë dath e desh

nëpër borë e xhama t’thyem,

ferra e zall të nxehtë,

me nji puthje bujare

djep të rritjes téme.

Je flaka e dragoit,

dhamt e tij t’mbjellun 

me u bá shkronja për libra.

Toka shkon e ti nuk humbë,

kthehesh në dritë.

Unë shkoj kudo

themelet e kishës në kodër 

i kam në shpirtin tánd.

Kryqin,

kryqin e kanë shpikë për mue jo për Jezusin.

Kryqi jém má i bukur je,

hej se ku ma i shenjtë se ai i Jeruzalemit.

Ti je Jeruzalem e Dardani për mua.

Sa herë vdes,

e pi nji molekulë tánden

me i hapë sytë.

M’u harroftë emni në të harrofsha!

Në lotin  mbi oqean,

rritesh veç ti!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *