I.
Parfumi yt
Goja jote varr i gjallë detar
Me aromën e fërnetit
Të puthitur trupat tanë nga frika
Në kërkim të mejhaneve pa garipa
të portit
Por ama me “zhurmë e tym” i kërkonim
Që askush të mos na shihte kaq pa frymë e të përkryer
E kështu s’e gjenim një të tillë, këmbët e rënduara
Si shishe na thyheshin në mes
Puthjet e rërën me brazda plagosnim
Në gjurmët tona të thella varrosnim
Gjithë vitet që kishim kaluar pa u njohur
Buzë detesh me emra të ndryshëm
Ajo natë në dritare si pulë e zezë
Ngrohte të vetmen hënë vezake
Nga ku del gjarpëri i gjithë mollëve
Mollët e tua të bardha
Bashkë i kafshuam
Dhe të nesërmen i mallkuam, kur
I njëjti autobus u nda më dysh
Për të na degëdisur në drejtime të kundërta
Tani
Me një guxim të mjerë
Nuhas gjithë ditën, të betohem
Gojët e shokëve në klub, për atë Zot
Eshtë era e saj
II.
Mesnatë në bregdet
Neonët e qytetit
vjellin dritë
mbi sipërfaqen e qetë
të detit.
Era edhe flladin diku e harroi…
Gjethet kanë ngrirë,
si veshë të nderur në përgjim.
Asnjë zhurmë…
Deti ka vënë gishtin mbi buzë
dhe pëshpërit me gjuhë dallgëzash:
Shët! Shët! Shët!
Dallgëzat rrëshqasin mbi heshtjen e bregut,
aq lehtë, si puthjet e nënës
mbi ballin e dirsur të fëmijës së përgjumur.
Unë dhe ti
pagjumësinë tonë të lumtur
thithim në dy cigare.
Dy cigaret tona në këtë mesnatë,
si fenerë të udhëve detare,
rrugën e rrëfejnë ditëve të lumtura,
që shtegtimin kanë nisur drejt nesh.
Jemi këtu! Jemi këtu!
Mbi kokat tona yje.
O sa yje!
Ë?
Më parë sikur s’ka patur kaq shumë yje?
Ë?
A nuk të duket se kanë ndezur cigaret
miliona të lumtur si ne,
miliona,
si ne,
të pagjumë?
III.
Kronikë nga këto ditë
I iki vetes me ditë të tëra
Me javë
Dy qënie që rrojnë si t’ua dojë qejfi
Po ti njësosh, del një jetë qeni
Ai këtu, unë tej çapitem
Kohë kam: këpucët ende mbajnë
Arna
Dhe dhëmbë të thyera të udhës së hiçit
Dhe shkoj në vete, i parruar
I ndyrë
Me plot zakone të reja rruge
Dhe vij në vete, heshtas e takoj
I marr bukë, vargje, raki
Fjalët e pakëmbyera-grenxa në zgjoin e kokës
Dhe udha e hiçit vazhdon të m’i hajë
Opingat e arnuara me lëkurën e faqes
Se unë vazhdoj kështu të jetoj
Me një lumturi të lodhur, pa bujë
Gjysmën time të jetës tonë prej qeni.