I.

Ata po nxitojnë të vdesin

Ata po vdesin njëri mbas tjetrit;
të hedhësh dhe mbi ta, u bë krejt e zakonshme
si t’i hedhësh kripën gjellës.

Janë të gjithë në një brezi, të afërmit e mi
ose më mirë të një epoke,
e fëmijët e epokës janë si qentë e lidhur me një slitë,
në kërkim të arit:
duhet të vrapojnë, ose të rrëzohen njëherazi. Epokat s’janë matematikë
por, krehra, krehra që rrafshojnë ҫdo rebelim floku,
epokat lënë pas vetëm silueta:
të zeza, gri, të bardha arktike.

II.

Lidhur me Hiper Metropinë

Mos më vër faj, nëse kam humbur sensin e të shikuarit afër.
Jam rritur pa një puthje në ballë në mbrëmje para gjumit
si gjiri i detit pa një liman. S’kam dëgjuar kurrë hapa të fshehtë
poshtë dritares, dhe rrallëherë pëshpërima në vesh.
Ullinjtë në oborr, ishin pronë e shtetit;
Kanotiere e bërë shoshë nga vrimat- gjatë dimrave më të begatë,
dhe asnjëra prej kokrrave nuk mbërrinte në tryezë.
Dhe s’jam trembur kurrë nga një gotë e thyer
me shenjat e mia të buzëve- mund të kishte qenë një besëtytni,
asgjë nuk thyhej, enët laheshin atypëraty.
S’kam pasur kurrë një sirtar
që të mos lehte si kone e rrahur sa herë që futja duart.
Dhe s’di se ç’është farfurima e një këmishe nate
fshehurazi midis dhomave.
dhe as se ç’është ngrohtësia e drunjtë e gjërave posesive
si parmakët prej druri, që të çojnë gjithmonë pagabueshëm
në katin ku ëndërrohet…,prekja e mëndafshtë e astarit..,
-sendet të cilat unë u përkas dhe më përkasin.
Që atëherë, forca ime nuk vjen nga brenda
por, së jashtmi,
-një copë mish i tymosur
në mëshirë të kripës dhe acarit.
Dhe s’e kam ndjerë ndonjëherë shijen e ëmbël të fajit mbi vete
dhe as atë të athtën e pendimit. Përderisa dhe ai, ndahej si hallva
në ditën e përshpirtjes, me të tjerët.

III.

Kuptimi i një udhëtimi

Gjithë ky udhëtim i gjatë
vetëm për të zgjedhur vendin ku do të vdesim
si ngjalat që i rikthehen Karaibeve
dhe elefantët humusit të butë të breglumenjve.

Ku do të vdesë i fundit imazhi im
cila derë do të përplaset më fort nga rryma e fortë.
Nuk ka vdekje mes mjerimit a madhështisë
shtrati ynë do të jetë vetëm një palë sy
do të jetë shpirti që shkëputet i fundit prej nesh
po me kaq vështirësi
sa druri i arrës
prej hijes së vet.

Shihni seç gjumë të thellë bën kjo grua
një gjumë foshnjeje
që nuk do t’i shkonte për shtat
moshës së saj të thyer:
është hija e arrës që nuk është mbjellë akoma
është një jetë e pajetuar.

Si zakonisht syzet e kryqëzuara afër shtratit
duke pritur një frymë që t’i mjegullojë
Përtej tyre objektet vijnë të zmadhuara, të prekshme, të qarta,
të papërpunuara
si në ditën e parë të krijimit të botës.

Kurse unë, si një bishë e rëndë dhe dembele
rrëmoj me thonj mbi të njëjtin vend, dhèun nën këmbë.
E nëse ky do të ishte vendi im i zgjedhur
atëherë unë kurrë nuk do të mund ta dëgjoj atë degë që thyhet
qindra kilometra larg meje,
ceremoninë madhështore të pyllit në dimër
me një zemër të ftohtë akull
si zemra e dëborës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *