I.
Koha e lules
Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.
II.
Rilindje
Dielli herët depërtoi ndër dej!
Si mbas nji cipe të hollë mendimi
E ndriti rrugën tonë nga lindja
E këndej.
Erdhi koha e zgjimit!
Nji rreze e vetme përpara
Mbi mur
Ndriti dhena t’panjehuna përmbas,
mungullim bimësie e filiza shum
me krena gacash përmaje: rreziqe!
III.
Mbramja asht larg
Mbramja asht larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.
Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.