I.

Ti do të heshtësh

Ti do të heshtësh gjatë atë ditë,
ndoshta për fare atë natë,
kur të mos jetë
mbi sferën e humbur të tokës,
figura ime krenare
me sytë e fuqishëm si shpezë
që veç lirisë i përkasin,
që ti e deshe aq shumë.
Ti do të heshtësh djalë,
ti do të heshtësh, burrë,
ti do të heshtësh, shpirt,
kur të mos jem më unë. Dhe mjekra jote mbështetur mbi klavikul,
do të heshti.

Oh, nuk do të jetë më ajo heshtje, nga ato që vibrojnë afrimin.
Ajo heshtje e madhe,
ajo heshtje e mungesës,
ajo heshtje e kthimit tënd,
në një,në një,në një.

Ti që gjithmonë me mua ishe dy,
dhe prapë njësuar,
po kurrë bir vetmie.
Do të heshtësh,
ti që aq pak flisje dhe heshtjet i krisje,
ti që i kishe fjalët si guaska të rralla,
që m’u desh aq rrugë të eci për ti gjetur,
do të heshtësh ti, që aq shume të desha.
Do te kthehesh ne nje burrë si mijëra,
(kurre nuk mbaron argateria se ngreni burra.)

Do të heshtësh. Do të çohesh. Do të ikësh që andej,
krahëthyer drejt gojës së argatërisë do t’ikësh
duke tu zvogluar trupi, shpatullat në largësi.
Do të ikesh argati im, do të zhdukesh,
dhe këtu historia jonë do të mbarojë
historia jonë e padëgjuar ,
që e përgjonin yjet e pikuar ,
e që kapnim me dorë nën çati…

II.

Dikushi

Gjyshi im nga babai kish banuar në fshat
Ishte kryeplak
dhe ishte dikushi.
Gjyshja ime nga mamaja
gatuante mire si për mbret
dhe ishte dikushi.
gjyshi im nga mamaja
e kaloi jetën në burg
dhe ishte dikushi.
komshia ime
e mban shtëpine pastër si pasqyrë
dhe eshte dikushi.
dikushi
na ishte një ditë president
dhe tani është askushi.

III.

Çmendina me portë hapur

Po ikni, po na lini,
duke menduar; “Përgjithmonë”,
Nga ky dhe që ishte juaji, joni,
që është çmendina jonë.
Çmendina jonë e dashur, mallëngjyese
me kafkat shqyese.

O të çmendurit e mi të shtrenjtë,
sa ju dua,
megjithëse kurrë s’ju flas,
megjithëse kurrë s’më flisni
dhe dot s’ju duroj
dhe dot s’më duroni.
Por ky është rit:
ne nuk e shohim në sy njëri-tjetrin
për pa urryer,
dhe ky është shkak
për t’u dashur gjer në çmendim,
duke buzëqeshur ekzaltisht,
ndërsa në faqe
lotët na rjedhin,
lotët.

Bashkëvuajtës të mi
që ikni mërgueshëm,
të çmendinës sonë unikale,
me sy të fiksuar
pas një ideje të vetme,
oh, vetëm pas nje ideje të vetme,
qe askurrë s’u pa, s’u gjend askund
dhe s’di ndonjëherë në ka për t’u gjetur.

Shpërndahuni, ikni, tretuni.
Vend më vend shtet më shtet…
Oh, çfarë piskame pisket
nga çmendina jonë
në orën e vonë të perëndimit,
kur malli e merr për bijtë në Perëndim…

Ç’trishtim!
Mure të rrjepur..Mure që gjithmonë
kufizojnë horizontin
për të lënë një qiell pa fund përsipër.

Aty pas mesnate dënesjet mbarojnë,
dikush me vete po flet:
Sidoqoftë shqiptarit,
kudo që të ndodhet,
i mjafton marrëzia e vet…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *