I
Përhënie
Në dreq të mallkuar
me draprin e hënës së re në rërë
mjellmën e argjendtë e kanë prerë
Mes brigjeve uji
shtatë diej fundosi
dy hëna nusërore varrosi
Mjellma e zezë
dhe ajo e bardhë
mua më kërkojnë
pas hënës së re
të zi ose të bardhë
Dhe mbaj në mend
kur hëna bashkohet
dhe hëna në det fundoset
ai do të rritet tatëpjetë baticës
Vdekja dhe jeta
shëtisin dorë për dore
si binjakët që shkojnë në shkollë ujore
për të mësuar
pse vlon qumështi në gjirin e nënës
qysh zgjohet deti në prehrin e hënës
në baticë
kërkojnë fytyrat tona të humbura
e ti lule
zhvisheshe ngadalë
ata duruan të të shohin
durimi
është kufiri i mençurisë dhe çmendisë
I përngjan hënës
e nënës
ai është limani
i fundit i mirësisë
O Zot
drojë
se do t’i prenë
rrezet e Hënës
si do ta luajë atëherë
elegjinë për dëmin
në lyrën time pa tela
Hëna drapër
korrte valët e detit
Njeriun e pret korrja
ai gjuan draprin e hënës
Në kraharorin e jevgut
e krisur
hëna dënes
Njëherë marama të bëhet e mbrama
mbaron loja
do të jetë Hëna
do të ketë rreze
të mbyllet syri
të pushon goja.
Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën
Në prehrin e hënës
sa e lumtur
më ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta.
E unë e hëna vajtojmë
luajmë etida
ç’u bë nisia
Ku është Atlantida
Troku i kalëfuqive
buçet
Korbat nëna
e çalë hëna
do të vyshken
burbuqet
Ji i gëzuar
mos rri me lot
sonte niset hëna e plotë
Nëpër guaca po fle gaca
sonte niset hëna e plotë
II
Populus Illyricus
Populli
e di
kur duhet bërë kryq
me tre
e kur
me pesë gishtërinj
e kur
të thuhet dova
Ai
më së miri
të thotë
s’ka përëndi të tjerë
përvec meje
Populli të thotë
se s’ka kryeplak
më të urtë se fshati
Ai e ka meteorologjinë
e vet
në gjunjtë e pleqëve e të plakave
kur ky yll apo ai
gjendet këtu apo aty
Populli di
pse
s’duhet përqeshur lumin
për rrugën e tij gjarpërore
rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë
po lumi kurrë
2.-
pasi vetëm ai e di
rrugën e vet
vallen e popullit
askush
s’do ta mësojë
as t’i marrë erë
për një jetë kalimtare
Kurrë mos humb besë
ndaj Zotit tënd të ri
beso
e po të besoj
në këtë aksiomë
Populli e di
se vetëm fëmijët dhe kafshët
të duan pa hile
Cdo fjalë që të thuhet
për Popullin
është e stërvockël
Ai e ka celësin
për cdo rebus
vetëm për të s’ka enigma
Eu
Ai
di
se cili mashkull i shtëpisë
është për pazar
e cili jo
Ai e di
mu si Luli i vocërr
3.-
ku është hija
e ku gjendet dielli
kush është Mark
kush Januz
e kush Janus
Populli e ka syrin
të thellë
sa një oqean
populli të thotë
se kënga
është vaji i burrit
se kështu e ka jeta
Ai ka
cka s’ka
asnjë kryevepër s’e ka krijuar Dante Aligieri
apo ndonjë tjetër
po Ai
i mjeri
Për cdogjë që ke ndier
mos beso as ti
po populli
e di
Ai
para se ta capojë
të njëmbëdhjetin hap
dhjetë i ka kaluar
Populli
s’ka epiqendër
të gjitha trojet
e skajet
e tij
ashtu mund të quhen
4.-
Populli të mëson
me proverba
ai të thotë:
“I di Meta punët e veta”
III
Liria
Eu çfarë djali kam,
eu çfarë Lumi kam.
sa kafshata,
sa një pëllëmbë
s’e ka mjekrën
s’ka as dhëmbë,
mallkon yje,
shkatërron yje
Edhe në muajin e vet
të tetë
s’don të lidhet në djepin e vet.