I.
Vajza flokëkuqe
Vrapi nëpër diellin e asaj dite qershori
Ia kishte skuqur fytyrën e rrahur nga ajri i nxehtë
Ia kishte skuqur gushën, llërët
Lëkurën e zbuluar të kraharorit
Ajo vajzë që dielli e kishte mbështjellë me petale paparunesh
I ngjante një shisheje syrealiste
Antropomorfe
Të mbushur me verë të kuqe
Vallë, kush do ta pinte atë shishe?
Kush do të ngrinte me verën e saj dolli dashurie?…
E pata zili njeriun që do t’i digjeshin gishtat
Nga flakët e flokëve të saj prej komete
Dhe buzët do t’i ndizeshin nga prushi i buzëve të saj
Binjak me zjarrnajën e diellit
Si të mos e kisha zili unë
Një qenie tokësore, mëkatare
Kur edhe dielli vetë e përpinte me sy
Nga maja e zenitit
Duke njomur me gjuhë buzët e tij të përflakura?!
Vajza me fytyrë të skuqur ngq ajri i nxehtë
Vraponte për të mbërritur në takim
Duke lënë prapa nja hulli të zjarrtë komete…
II.
Baladë për njeriun që mbante gurin e rrufesë
Qëmoti
Një njeri që shtegtonte në male
E paska gjetur gurin e rrufesë
E paska mbajtur me vete
Qysh nga ajo ditë
Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë
Në terrin e verbër të natës pa hënë e pa yje
Shihte qartë si ditën në drekë
Në zjarr, nuk digjej; në ujë, nuk mbytej
Edhe në kulmin e acarit nuk mërdhinte
Nuk kishte vapë në pishë të diellit
Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë
Mund të rronte njëqind ditë pa bukë e pa ujë
Mund të rrinte njëqind net pa fjetur
Me tre hapa mund t’i kapërcente malet
E të mbërrinte në breg të detit
Njeriun që mbante me vete gurin e rrufesë
Nuk e priste dot shpata
Nuk e zinte dot plumbi
Nuk e prishte dot syri i keq
Njeriut që mbante me vete gurin e rrufesë
I shmangej Ujku i Çartur
I hapte udhën Syqenëza
Kuçedra ikte ku sytë këmbët prej tij
Prej tij dridhej tutësh edhe Vdekja…
Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë
Thonë se vazhdon të ecë nëpër kohëra
I mbështjellë me një shark të bardhë legjende…
III.
Kalorësi i panjohur
Një re fillikate shaloi malin
E shndërroi në kalë të gjelbër
Vallë, ç’lajm po më sjell
Ti, kalorës që lë pas horizontin?
Ja ku ia behu mbrëmja
Dhe yjet prushërijnë në qiell
Ndoshta këto yje janë
Shkëndijat që lë pas kalorësi i panjohur
Gjakun që i pikon nga plagët
Ia mbledhin kupat e lulëkuqeve
Ia mbledhin kupat e luleshegëve
Për ta shndërruar në rubinët e kokrrave të tyre
Kalorësi i panjohur trokon nëpër muzg
Drejt një shtëpie malli
Ndalet para një shtëpie ëndrre
Ku varet dryni i praruar i hënës
Ajmé, bulkthat e groposën në dhé
Çelësin e asaj shtëpie ku bujt errësira…