I.
PSHERËTIMA 
Sa çel e mshel sytë u ngjit mbi çati 
nëpër ato shkallë të thyera të moshës 
për ta ndrequr tjegullën 
prej nga pikon shiu 
Një gëzim i papërshkrueshëm 
lëkund gjandrat nga vendi 
sa telat nga vjen drita jeshile 
u këputën 
Ato re të zeza, ai peizazh gri 
ajo ëndërr e përhimtë e fëmijënisë 
filluan të zbardhen nga psherëtima 
II.
ANDRRA E JETËS
Me një krahër me brymë 
kaloi tinëzisht vjeshta 
nëpër flokët e mi: fijet e argjendta 
ndahen në dysh mbi vetulla 
dhe vazhdojnë krela-krela 
rritjen në bronz 
Dhe prapë dritë neoni 
përzier me borë 
ndriçon ballin tim 
me shiritat magjikë të moshës. Lëng 
vetëtimash 
pikon nga damari i fshehur i dritës 
në strall. Ndërsa netëve të vona 
nën ndriçimin e ftohtë 
zgjohet në kafaz 
dhe zë e këndon bilbili 
për retë e bardha në qiell tek pikojnë 
currila kristali 
për gjethet e verdha të vjeshtës 
që dridhen në erë nga frika e moshës 
O imagjinatë që trillon në errësirë 
peizazhe të gdhendura në metal 
porta të hapura të parajsës 
bunacën e detit në pëlhurë. Derisa të fryjë 
era mbi xham dhe t’i fshijë 
të gjitha mbetjet 
nga andrra e madhe e jetës 
III.
GJENDJE NEUTRALE
Lufta ime e fundit me veten time mbaroi
Me pat. Zbrita shkallëve në bodrum
ku më kish zënë gjumi. Çelësin e pata përbi
dhe s’pata më si të dal. Duart
i harrova në bedene mbështetur
për heshte tek vigjiloja retë e pluhurit
të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë.
Edhe në ëndërr më dhemb në shpirt
teksa ai nëpër vrimën e çelësit përvidhet
në astral. Një gjilpërë e harruar
më ther në palcë dhe askush s’ më dëgjon.
Vetëm jehona e klithjes shndërrohet në spirale
dhe më mbështillet nëpër asht.
Një dritë jeshile vjen nga syri im
në abazhur. Nëpër fushën e ballit hingëllojnë
kuajt duke u tërhequr zvarrë
nëpër orenditë e pluhurosura
teksa koha grindet me rrudhat
në trurin e lodhur për haloret e flokëve
të mi. Anash shkëmbinjtë e shpellës
me stalagmite me therin në zemër. Euridika
qanë për këngën e mbetur përgjysmë. I mbyllur mbeta
në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus
çelësin e humbur për ta gjetur
në një guaskë.

                    