I

Eshtrat që vijnë vonë

prej shtëpisë sime me çati prej kashte
dola me hejben plot vegla
e mora rrugë Veriun e Thellë
kurbet me kobër dola mjeshtër me pagë
pas erës së bukës 
rrugë më rrugë shkretëtirës
kah Lindja
kah Perëndimi

latues mermeri me daltë
ikonograf me brushë e ngjyrë
godita pirgjet e larta të botës
gjurmë lash shenjën e qartë
pikturat e amshuara nëpër tempuj
lirikën – fjalë të zjarrtë
aktor me pseudonim
palaço në oborrin mbretëror
pa emër pa datë

disa shekuj pastaj
në Atdhe
eshtrat më vijnë vonë
me anije
– deti çohet dallgë

II

Ploja e natës në Deçan

Pas ushtarëve.
erdhën ikonografët me brusha,
për të pikturuar “Pamjen” që paraqet një vajzë shtatëvjeçare.
duke qëndruar në këmbë,
në këmishë nate,
në terrin e dhomës,
midis trupave të masakruar të prindërve,
vëllezërve dhe motrave të saj.

Cili terr i mesnatës mund të paraqitet në pikturë
Pa hijen e domosdoshme të dritave diskrete
Edhe dhomës i mungon dritarja edhe qiellit yjet
Kur ata që shohin me sytë tanë, tashmë janë të vdekur.
Ata janë në paqe me vetveten: as afër s’janë. as larg
Një dritë mendimi mund të bëjë tufë spektri violet
Aq sa ta paraqesë figurën vertikale të Hanës shtatëvjeçare
Merrni me mend dritat që i japin pamjet e ëndrrës
Në të cilën ju vret me thikë pas shpine ulurima e shtazës.
Piktura t’përjetëson n’këmbë duke qëndruar njëmijë vjet
E rrethuar nga trupat e prindërve të saj të masakruar
Me cilat këmbë do të largohet ajo hapësirës pa horizont
Shkallëve tatëpjetë si do t’i kapërcejë lumenjtë aheron.
Cila ulkonjë e pyllit të egër do t’i japë sisë
Me ç’gjuhë do t’i flasë Liria kur ajo t’i zbret nga mali
Në qytetin e dritave kristale, yje të natës në verë
Gjuha e tmerrit, gjuha e vetmisë, gjuha e kobit të zi
Është heshtja e t’masakruarve që ikin në sferat e tjera.
Kaq shihet piktura me dritën e mendjes shumë statike
Thotë Profeti i Xhibranit, “kur ri nuk banon në tmerr
atëherë jeton me gojë, me fjalë. Zëri të bëhet lojë”
Pamja e masakrës në kafazin e fjalëve krahët i hap
por nuk mund të fluturojë atje ku janë të vdekurit tonë
Po vijnë sharlatanët, politikanët,
vëzhguesit, monitorët, humanitarë, mjekët pa kufij,
zyrtarët e Bashkësisë Evropiane, rusët dhe kriminelët e tjerë.
Nuk i la policia piktorët, kompozitorët,
poetët, profetët – që të hyjnë në Banesën e Hanës shtatëvjeçare,
ta pikturojnë duke qëndruar në këmbë pranë kufomave të prindërve të saj të masakruar.

III

Trim i marrë

në trotuar si beduin si kloshar
në rrugët e botës më zë natë
ngrysem si çifteli e kërleshur
vruga qepallave hije m’i bën
lirë e shes artin tim – mjeshtërinë
se bukën s’e dua lëmoshë
mëshirë s’e dua dashurinë
asnjë bar nostalgjinë s’ma shëron
re e mllefur në ballin tim
vetëton e bubullon
më vret dru të njomë
vonesa ime pranverore
do të kthjellet në paanësi e di
në veri atje ku një Doruntinë
psherëtin
e vëlla më pret t’i vij
malli për të boll më del
me leckat e mia vjeshta
rrugëve të planetit kah m’i vjel

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *