I.

Jeton në syrin tënd

Siç duket
Unë jetoj brenda në syrin tënd.
Bashkohen qerpikët,
Vjen nata për mua,
E ngrohtë.

Gjumi im rrëzon rrobet si gjethet e mëdha.
Kur të treten, të mos të di gjë
Që jam ajo pemë në largësi.
Zogjtë ndërtuan një fole. Është zemra Ime.
Pastaj dhe një zemër tjetër
Me fijedritë
Dhe me kokrriza dheu si dhimbjen
Te krahët e mi e ndërtuan zogjtë.
E dija
Është zemra jote.
E pashë
Kur hape sytë dhe solle agimin tim.

Kam kaq kohë që jetoj në syrin tënd,
Dhe që të shplodh,
Dal herë pas herë shëtitje
Në formën e kulluar të lotëve.

II.

Zbathur shëtitet nëpër buzët tua

Zbathur,
Vetëm zbathur
Shëtitet nëpër buzët tua.

Këmbët mu mbushën
Me petale të kuqe puthjesh
Që më bien gjatë ecjes.

Dhe kështu u krijuan yjet
Në qiellin tonë prej toke.

III.

Ëndrrat

Ti po mbyll sytë, i dërrmuar
nga puna e tmerrshme këtu nën tokë.
Patjetër je duke ëndërruar,
se ëndrrave pranga s’u vënë dot.

Dhe le ta bëjnë ferr galerinë,
ti vuan që të mbetesh engjëll.
Mbi supe si flatra ke mirësinë
dhe fluturon nëpër ëndërr.

Ku shkon kështu? Ah, unë e di
dhe ëndrrat lodhen mes kaosit
dhe kanë ftohtë ashtu si ti
veç me kapotën e të burgosurit

dhe s’po të them që i vrasin ëndrrat
që kam shëtitur ndër varret e tyre.
Ndodh që na vrasin më parë se ëndrrat
dhe qajnë ato mbi ne si vejushë.

Befas u zgjove. Buzëqesh i trembur,
sapo u ktheve nga ai vend i lumtur.
Balli i mbushur plot me ëndërr
e di që bëhet më i bukur.

Spaç, dimër 1982

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *