I.
Në vend të hyrjes
I errët ky shteg. Nuk mundem
rrugën me gjetë pa dritën
tande. (Çka më sëmbon?)
Në cep të greminës,
që joshë e ngujon,
a nuk e sheh si po lëkundem?
II.
Lule-Crrule
Mbi trotuar
trokasin
porsi tak-tuke
takat e tua të larta
kur kthehesh ti – elegante –
prej takimit.
Një sy-bojqielle
-ndër duar një tavë me speca –
shtangon e mpirë
e të han me sy.
Unë prej tavernës ju vërej
që rakia s’ma shuan mëllefin
vajzukja:
një lule me crrule
e ti:
një crrule me lule.
III.
Kur mbetesha vetëm me ty
Kur mbetesha vetëm me ty,
o zemra ime,
netësh të mbarsura me stuhi,
mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë,
pa dritë.
Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte
sajimesh
që një mbas një
ndeheshin palë e palë
mbi mua, kapitur gjumi në shpinë
me më ba dëshirash një trupore pjalmi mortore.