poezi te muzikuara

I

Jeto dhe jetën time

Jeto dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre, veç jeto.

Ata që s’duan dashurinë,
Nuk dinë seç është mirësia.
Folenë e ngrenë në errësirë,
Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.
Se jane mësuar të zvarriten,
Të të helmojnë, pastaj të vdesin.
Pa prekur trupin tënd të ngrohur,
Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.
Dhe pena ime nis e shkruan,
Kaq e lodhur nga mundimi.
Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,
Dhe ndalet lumi i zemërimit.

Të dua, të dua, të dua,
Oh, këngë hyjnore e kësaj bote.
Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara,
Që frymë ty të dhanë.

Shumë të kërkova gjersa të gjeta.
Dhe nëse vdes mos u trishto,
Por, ti jeto!

Nëpër rrugët e dashurisë,
Enden këngët dhe legjendat.
Nëpër vargjet e poetit,
Zemrën ta njoh.
Dhe në vija pentagramesh,
Derdhet shpirti i nje artisti.
Por dicka pa thënë pa mbetur,
Le të tjeret ta tregojnë.

Dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre,
Por, ti jeto…

II

Se kënduam (Let it be)

Ku mbete ti rini?
Mosh’ që vjen vetëm njëherë,
Kur më erdhe nuk e di,
Ishte dimër a pranverë,

Por një gjë fort’ mir’ e di,
Un’ të buk’rën dashurova,
Nga rrugicat me kalldrëm,
Tek artistët që ka bota.

Ne besuam si fëmij’,
Ne besuam të dashuruar,
Se kënduam “Let it be”,
Ndaj dhe rronim të përgjuar.

Po ku ishe ti o Zot?
Për një çast kur të mohuam,
Falna ti dhe mjaft me lot,
Veç tek ty kam për t’besuar.

Ne besuam si fëmij’,
Ne besuam të dashuruar,
Se kënduam “Let it be”,
Ndaj dhe rronim të përgjuar.

Po ku ishe ti o Zot?
Për një çast kur të mohuam,
Falna ti dhe mjaft me lot,
Veç tek ty kam për t’besuar.

Brezi yn’ nuk mund të kthehet, jo, jo,
Fshehur botës i harruar,
Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,
“Let it be” kam për t’kënduar.

III

Etërit

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…

Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *