Fragmenti i bisedës ku Kasëm Trebeshina flet për gjestin e Naum Priftit për njërin nga dorëshkrimet që ishte gjykuar të digjej:

— Domethënë, juve nuk ju janë djegur vetëm dorëshkrimet letrarë, por edhe dokumente të tjerë dëshmues. Herën e parë që biseduam për këtë, nuk ju kujtohej emri i njërit nga anëtarët e atij komisioni të zi!

— Nuk është se ishte një aty. Ishin Dalan Shapllo, Ruzhdi Pulaha, Bashkim Kuçuku, Fatmir Gjata, Resul Bedo, Moisi Zoloshnja, Llambro Ruci, Naum Prifti…

Kasëm Trebeshina me piktorin Llambi Blido (majtas), më 1968 në Durrës, miku i tij besnik, tek i cili kishte fshehur kopjet e dorëshkrimeve që u dogjën me aprovimin e kolegëve të tij.

— Për këtë të fundit më keni thënë se e ka përshkruar njërin nga dorëshkrimet dhe jua ka kthyer më vonë.

— Po, është e vërtetë. Është dorëshkrimi që kritikon Mehmet Shehun në ’52. Naum Prifti e ka përshkruar nga frika se mos zhdukej.

— Cila ishte ajo?

— Është drama “Ëndërr e përjetshme”. Ai mendoi që kjo është vepër unikate. Që të mos zhduket, që të mos digjet, e kopjoi tërë natën me dorë dhe e ruajti e ma solli. Unë e kisha kopjen tjetër, por e mbaj për kujtim të gjestit që bëri Naumi. [1992]

Nga libri Mozaiku i mbuluar, botuar te “Faik Konica”, 2022, Prishtinë.

Publikoi: Shaip Beqiri

By Editor