I
M’i gjeni një qytet Migjenit
(Për Millosh Gjergj Nikollën)
në daç mos m’i gjeni, murgeshë
as këtij vargu të shlirë për meshë
vend n’altar mes kokrrash rruzare
por si banor i hershëm qyteti besëtar
fqinj vëllam i tjetrit skaj të litari tënd
tash ca më larg shërbese hovesi rinore
për kurajon pash më pash t’i bie ferrit
lutem murgeshë pash Zotin e vërtetë
përpara tundimesh rishtari si neve
nëse na e tund pranë e plot hire
atë temjanicë nën zinxhirë
e në mos mundsh
mbarë e me fund shliroje
mes hallkash esencën aromë profan
II
Udhëkryqe dëborash lartësie
Rënë, në të thella, Ai, ende në kryq
hedh një sy ndër dëborat e qyteteve
teksa po ngrehn si përfund çdo viti
bredha të rinj pragu Kërshëndellash
Si minaret që ngultas pat parë lartie
pas tri net ere lirie plaçkitje mesjetë
e kur i mbet t’ia niste të falat Sofisë
me shenjtën Irenë të paqe fqinjësisë
Sa shpejt iku, edhe ky vit, sa shpejt!
Dymijë e kusur vjetët, sikur dy ditë!
E shtriqet sërish, i zbehtë nga e para
tejshkuar vragat prej frushkulli dritë
Me trupin ngulmin mos t’i lëndojnë
Kryqin nga shpina anës pragu profan
Dhe bën si i vdekur, të mos ta vrasin
Edhe e var, ashtu, atë kokë, mënjanë
III
Rilindje nën brerore
Ka rënë e dremit Jezui
Si një faltore pa meshë
Nën atë gjumë ikonash
Kryqit shtrirë mungesë
Fle me kryet anuar. Pret elegjinë e dritës së praruar
E s’ka kush i vajton Golgotat. S’ka kush e qan flinë
Fle të ëndërrojë për versetet dhe të kremte metafore
Tablo vezësh të kuqe e nuancat në të premte të zezë
E s’ka kush i vajton Golgotat. S’ka kush e qan flinë
Ëndrrash stine Rilindje
Sheh afreske breroresh
Yje zbehtësi shenjtërie
Vurrata Kapele Sistine
Foshnjërinë në pëlhurë
Ndër prehër të pikturës
Ku i zgjat duart Maries
Vragat uratë ardhmërie
S’ka kush qan Golgotat
S’ka kush e vajton flinë
krenar zejno, në pashkë

