Nga Shaip Beqiri

Ibrahim Rugova është esteti më i madh shqiptar, i cili krijoi veprën e vet studimore brenda njëzet vjetësh (1968  1989).

Hulumtimi i tij në fushë të letërsisë depërton më thellë dhe është më origjinal se i çdo studiuesi tjetër në botën shqiptare deri sot. Ai është poet i vërtetë në fushën kërkimore letrare: me ide të kristalizuara, gjurmim shterues analitik, metodologji të papërsëritshme, gjuhë të përkryer… Ndonjë shkollë eventuale letrare shqiptare do të mund të ngrihej e sigurtë sall mbi një përkryerje të tillë me firmën dhe vulën e tij: R u g o v i a n a! Ajo do të kishte në krye të herës këto cilësi: themeltare, shqiptare, origjinale, moderne. Ky model studimor, në përpjekjet e pareshtura të zhvillohej që në kohën e tij dhe sidomos pas tij, mbeti disi fatpadalë; nuk është që s`u përftua një trumbë me jo pak përdegëzime epigonësh, të atrofuar e të përçudnuar, por gjithnjë e më larg burimësisë së asaj që e quaj Rugoviana! 

Me mërinë ndaj letërsisë dhe krijuesve të saj nuk mund të vazhdohet udha e atij që tek themeli i punës së vet kishte vënë dashurinë humaniste dhe pasionin krijues. Shpresoj të ringjallet ajo frymë së paku pas gjysmë shekulli!

Këtu nuk dua të flas për veprimin politik të I. Rugovës! Për atë pjesë kam folur e shkruar me kohë dhe asgjë nuk heq. Shtoj se ai pati fatin e keq të zgjedhjes, vendosjen nga të tjerët; pra ai ishte i zgjedhuri i të tjerëve. Pati pak mundësi të zgjidhte, ndonëse vetë ishte zgjedhës i shkëlqyer, po zgjidhës jofatlum…
 Të gjithë ata që bënë karrierë pushtetare duke u ngjitur shpinës së Rugovës; Rugovën e donin verbërisht, e urrenin tinëzisht dhe e përbuznin tmerrësisht…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *