Presidenti amerikan, Donald Trump ka ndryshuar qëndrim mbi çështjen e dokumenteve të Jeffrey Epstein, duke u shprehur publikisht në favor të publikimit të tyre të plotë. Në një mesazh në platformën Truth Social, Trump deklaroi se “nuk ka asgjë për të fshehur” dhe i kërkoi republikanëve në Kongres të votojnë për deklasifikimin e materialeve që lidhen me rastin.
“Është koha të çlirohemi nga ky mashtrim i Demokratëve”, shkroi Trump, i cili deri më tani e kishte kundërshtuar me forcë publikimin e dosjeve. Për muaj të tërë, demokratët dhe disa republikanë kanë kërkuar hapjen e plotë të dokumenteve që lidhen me skandalin Epstein.
Jeffrey Epstein, multimilioneri, u akuzua për abuzim seksual ndaj vajzave të mitura dhe trafikimin e tyre drejt personave të njohur. Ai u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019, në moshën 66-vjeçare, dhe raporti i autopsisë përcaktoi vetëvrasjen si shkak të vdekjes. Megjithatë, marrëdhëniet e tij të gjera me figura të profilit të lartë kanë nxitur teori dhe spekulime të vazhdueshme.
Përpara arrestimit, Epstein kishte kontakte të shumta me politikanë, miliarderë dhe personalitete publike. Në disa video festash, Trump shihet duke biseduar me të, megjithëse më vonë ai është distancuar nga Epstein. Megjithatë, vetëm një pjesë e dokumenteve të rastit është bërë publike deri më sot.
Gjatë fushatës, Trump kishte premtuar transparencë të plotë për dosjet Epstein, një premtim për të cilin është vënë nën presion pasi mori detyrën në janar. Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton për publikimin, vendimi duhet të kalojë edhe në Senat. Më pas, nënshkrimi i presidentit është hapi final, një proces që mbetet ende i paqartë nëse do të përmbushet apo jo.

