Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një mesazh të prerë Izraelit duke i kërkuar të ndërpresë menjëherë bombardimet në Rripin e Gazës. Ky zhvillim erdhi pasi Hamasi ka bërë të ditur se pranon disa pika të planit të tij për t’i dhënë fund luftës pothuajse dyvjeçare dhe për të liruar pengjet e marrë gjatë sulmit të 7 tetorit 2023.
Sipas Associated Press, Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm të dorëzojë pengjet dhe administrimin e Gazës një organi palestinez, ndërsa për pikat e tjera të planit do të ketë konsultime të mëtejshme.
“Bombardimet duhet të ndalen menjëherë që pengjet të lirohen sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Aktualisht po diskutojmë detajet e këtij procesi”, u shpreh Trump.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se shteti hebre është gati të nisë zbatimin e “fazës së parë” të planit të Trumpit, që lidhet me lirimin e pengjeve.
Në planin e tij 20-pikësh, Trump parasheh që Gaza të shndërrohet në një zonë pa radikalizëm dhe pa terrorizëm, si dhe të rindërtohet në funksion të qytetarëve të saj, të cilët – sipas tij – kanë qenë viktimat më të mëdha të konfliktit.