Situata në Iran po përkeqësohet ndjeshëm, ndërsa protestat kundër qeverisë islamike kanë sjellë një bilanc që po cilësohet ndër më tragjikët në historinë e vendit. Të dhënat nga burime zyrtare dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut flasin për mijëra viktima.

Një zyrtar iranian ka pranuar për agjencinë Reuters se numri i të vdekurve ka kaluar shifrën 2000. Paralelisht, organizata amerikane HRANA njoftoi se ka verifikuar deri tani 2003 viktima, prej të cilëve 1847 rezultojnë të jenë protestues. Mes të vrarëve raportohen edhe të mitur nën moshën 18 vjeç, fakt që ka shtuar shqetësimin në arenën ndërkombëtare.

Në këtë sfond tensioni ka reaguar presidenti amerikan Donald Trampi. Përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social”, ai u bëri thirrje qytetarëve iranianë të mos dorëzohen dhe njëkohësisht njoftoi anulimin e çdo takimi apo komunikimi me zyrtarët e Teheranit. “Ndihma është duke ardhur,” shkroi Trampi në mesazhin e tij.

Reagimet nga bashkësia ndërkombëtare kanë qenë të menjëhershme. Ambasadorët iranianë në disa vende të Bashkimit Europian janë thirrur për sqarime, ndërsa BE-ja ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi bilancin e viktimave si tronditës për mbarë opinionin botëror.

Ndërkohë, Irani po përballet edhe me një krizë të rëndë ekonomike, të nxitur nga rënia e fortë e monedhës kombëtare dhe pasojat e mbetura nga lufta 12-ditore me Izraelin vitin e kaluar, gjatë së cilës SHBA goditi objektiva kyçe të programit bërthamor iranian.

Pavarësisht ndërprerjes së internetit nga autoritetet për të izoluar vendin, dëshmitarë flasin për një Teheran të përfshirë nga trazirat, me ndërtesa shtetërore të dëmtuara dhe përplasje të vazhdueshme. Sidoqoftë, ekspertët vlerësojnë se regjimi vazhdon të qëndrojë, për aq kohë sa forcat e sigurisë nuk kanë shfaqur shenja përçarjeje të brendshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *