Presidenti amerikan Donald Trump ka filluar zbatimin e një plani masiv për reduktimin e stafit federal, duke pushuar nga puna mijëra punonjës gjatë mbylljes së qeverisë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se shkurtimet janë pjesë e presionit të administratës ndaj demokratëve përballë bllokimit politik.
Sipas BBC, një zëdhënës i zyrës së presidentit konfirmoi se largimet nga puna kanë nisur dhe përfshijnë një numër të konsiderueshëm agjencish të nivelit federal. Të dhënat e bëra publike tregojnë se shtatë institucione qeveritare kanë lëshuar njoftime për pushimin e më shumë se 4 mijë punonjësve.
Trump, i cili prej kohësh ka paralajmëruar se do ta përdorë mbylljen e qeverisë për të reduktuar administratën federale, synon të zvogëlojë në mënyrë të ndjeshme fuqinë punëtore të shtetit. Ai është shprehur se shkurtime të tilla janë të domosdoshme për të “shfryrë burokracinë”.
Ligji federal detyron institucionet t’i njoftojnë punonjësit të paktën 30 ditë para ndërprerjes së kontratës. Pas deklarimeve të Richard Vought në rrjete sociale, departamente të rëndësishme si Thesari dhe Shëndetësia nisën shpërndarjen e njoftimeve zyrtare. Edhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi largime në Agjencinë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën Kritike, pavarësisht se një pjesë e stafit konsiderohet thelbësor.
Sindikatat kryesore federale, përfshirë Federatën Amerikane të Punonjësve të Qeverisë dhe AFL-CIO, kanë ngritur padi kundër administratës Trump, duke kontestuar ligjshmërinë e këtyre shkurtimeve gjatë mbylljes së qeverisë.
“Përdorimi i situatës së mbylljes si justifikim për të larguar në mënyrë të jashtëligjshme mijëra punonjës që ofrojnë shërbime jetike është i papranueshëm”, deklaroi Everett Kelley, kreu i AFGE.