Shtetet e Bashkuara pritet të ndërmarrin “shumë shpejt” operacione tokësore kundër trafikantëve të dyshuar të drogës nga Venezuela, bëri të ditur presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një video-konference me pjesëtarë të ushtrisë amerikane.
Trump deklaroi se rrugët detare po bëhen gjithnjë e më pak të përdorura nga rrjetet e trafikut, ndaj SHBA planifikon të fokusohet edhe në ndalimin e rrugëve nga toka.
Qeveria venezuelase ende nuk ka reaguar lidhur me paralajmërimin e ri të Washingtonit. Administrata Trump prej kohësh ka shqyrtuar masa të ndryshme ndaj Venezuelës, duke e akuzuar presidentin Nicolas Maduro për rolin e tij në furnizimin me lëndë narkotike që, sipas tyre, kanë shkaktuar miliona viktima në SHBA. Nga ana e tij, Maduro ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me trafikun e drogës.
Në muajt e fundit, forcat amerikane në rajon janë angazhuar kryesisht në operacione kundër trafikimit të lëndëve narkotike, megjithëse prania e tyre ushtarake është në nivel shumë më të lartë se nevoja operative. Që nga shtatori, trupat amerikane kanë kryer rreth 21 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor, ku kanë mbetur të vrarë të paktën 83 persona.
Spekulimet për një fazë të re të operacioneve janë shtuar pas zhvendosjes të trupave amerikane në Karaibe, në një periudhë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Venezuelës janë tensionuar edhe më shumë.

