Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka shpërndarë një mesazh të qartë dhe të ashpër ndaj Iranit, duke i kërkuar këtij të fundit një dorëzim pa kushte dhe përfundim të menjëhershëm të armiqësive me Izraelin. Në deklaratën e bërë gjatë kthimit nga samiti i G7-ës në Kanada, Tramp theksoi se qëllimi i SHBA-së nuk është një armëpushim i përkohshëm, por një “fund i vërtetë i luftës”.
“Nuk po kërkoj një armëpushim, ne po kërkojmë diçka më të mirë se kaq: një fund të vërtetë të luftës midis Iranit dhe Izraelit,” u shpreh Tramp për gazetarët në bordin e Air Force One, sapo zbriti në Uashington.
Presidenti amerikan vuri në dukje se presioni mbi Iranin do të vijojë pa kompromis, duke paralajmëruar se Izraeli nuk ka ndërmend të ndalë ofensivën e tij.
“Do ta mësoni në dy ditët e ardhshme. Askush nuk është ngadalësuar ende,” tha ai, duke nënkuptuar se operacionet izraelite do të vazhdojnë pa ndonjë kufizim.
Trampi deklaroi gjithashtu se Teherani duhet të heqë dorë plotësisht nga programi i tij bërthamor dhe të angazhohet për paqe. Ai konfirmoi se është duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të një përfaqësuesi të nivelit të lartë në Teheran për të negociuar, përfshirë këtu emra si Steve Witkoff ose zëvendëspresidenti JD Vance.
“Nëse i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme apo zëvendëspresidenti vendoset në Teheran, kjo do të varet nga ajo që ndodh kur të kthehem në Uashington,” tha Tramp.
Ndërkohë, tensionet mes Izraelit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen, jo vetëm ushtarakisht, por edhe në frontin kibernetik. Sipas mediave iraniane dhe burimeve të opozitës iraniane jashtë vendit, një sulm kibernetik masiv ka goditur bankat e lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane.
Sipas Iran International, një faqe e afërt me opozitën në mërgim, sulmi është përqendruar ndaj Sepah Bank, një nga bankat më të mëdha të Iranit, e lidhur ngushtë me strukturat e Gardës Revolucionare. Të gjitha bazat e të dhënave të saj raportohet se janë fshirë dhe bankomatët janë jashtë funksionit, duke paralizuar tërheqjen e parave nga qytetarët.
Këto zhvillime shënojnë një përshkallëzim serioz në krizën mes Izraelit, Iranit dhe SHBA-së, me efekte të mëdha të pritshme si në rajonin e Lindjes së Mesme, ashtu edhe në arenën globale. Të gjitha sytë tashmë janë drejt Uashingtonit për të parë hapat e ardhshëm të administratës Tramp.