Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta marrin Groenlandën “në një mënyrë ose në një tjetër”, duke paralajmëruar se, nëse Uashingtoni nuk vepron, këtë territor mund ta marrin Rusia ose Kina.

Duke folur nga Air Force One, Donald Trumpi u shpreh se arritja e një marrëveshjeje është pjesa më e lehtë dhe se Groenlanda do të përfundojë nën kontrollin e SHBA-së. Sipas mediave të huaja, ai theksoi se administrata amerikane nuk po shqyrton një qiradhënie afatshkurtër, por synon vetëm blerjen e territorit që aktualisht i përket Danimarkës.

“Na duhet një akt pronësie. Groenlanda duhet ta pranojë marrëveshjen, sepse nuk dëshiron të shohë Rusinë apo Kinën të marrin kontrollin”, deklaroi Donald Trump, duke shtuar se mbrojtja aktuale e Groenlandës është minimale. Ai përmendi praninë e shkatërruesve dhe të nëndetëseve ruse dhe kineze në rajon, duke theksuar se SHBA-ja nuk do të lejojë që kjo situatë të vazhdojë.

Presidenti amerikan komentoi gjithashtu se, edhe nëse kjo çështje do të ndikonte në NATO, SHBA-ja do të vijonte qëndrimin e saj, duke shtuar se aleatët kanë më shumë nevojë për Uashingtonin sesa e kundërta.

Ndërkohë, Danimarka, e cila zotëron Groenlandën dhe është anëtare e NATO-s, ka reaguar përmes kryeministres Mette Frederiksen. Ajo deklaroi javën e kaluar se çdo sulm i SHBA-së ndaj një vendi anëtar të Aleancës do të nënkuptonte fundin e NATO-s dhe të sistemit të sigurisë të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *