Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi, mbajti të martën një fjalim para anëtarëve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington, ku bëri disa deklarata të forta dhe ironike, përfshirë edhe komente ndaj presidentit francez Emmanuel Macron.
Gjatë fjalimit, Trumpi deklaroi se shumica e njerëzve që e respektojnë e thërrasin atë “Zoti President”, duke theksuar, sipas tij, autoritetin dhe ndikimin që gëzon në arenën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan iu referua gjithashtu një bisede që pretendon se ka zhvilluar me homologun e tij francez lidhur me çmimet e barnave me recetë. Sipas Trumpit, SHBA-të po paguajnë deri në 14 herë më shumë se vendet e tjera për të njëjtin ilaç për dobësim, Ozempic.
Në këtë kontekst, Trumpi u shpreh se kishte arritur ta bindte Macronin të pranonte rritje të konsiderueshme të çmimeve të barnave, deri në 200 për qind, duke e paraqitur këtë si shembull të pabarazive në tregun ndërkombëtar farmaceutik dhe si argument për politikat e tij mbi çmimet e ilaçeve.
Deklaratat e Trumpit u shoqëruan me tone tallëse dhe nuk u shoqëruan me reagim zyrtar nga pala franceze deri më tani.

