Presidenti I Bajernit të Mynihut, Uli Hënes tha gjatë një interviste për Frankfurter Allgemeine Zeitung se trajneri Tomas Tuhel nuk është i aftë të përmirësojë novelin e lojës te lojtarët e rinj në ekip. Sipas tij Tuhel nuk u jep besimin e duhur të rinjve si Dejvis, Muziala dhe Pavloviç dhe kjo është një ndër arsyet pse klubi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin në fundin e sezonit.
Tomas Tuhel reagoi ndaj këtyre deklaratave të presidentit bavarez duke u shprehur se ndihet i fyer në krenarinë e tij nga pohime të tilla.
“Pohimet e Hënes janë shumë larg realitetit. Lojtarët e rinj kanë patur hapësirat dhe mundësitë e duhura për të treguar vlerat e tyre. Nëse lojtari nuk arrin të kryeje mirë detyrat, ai duhet t’i lirojë vendin në formacion dikujt tjetër dhe kjo nuk është çështje moshe. Nevojat e ekipit vlejnë më shumë se gjithçka tjetër. Gjithmonë u kam dhënë shanse të rinjve, kudo ku kam drejtuar, edhe këtu te Bajerni. Mendoj se këto deklerata nuk i shërbejnë klimës në skuadër para dy ndeshjeve vendimtare ndaj Realit të Madridit” – tha Tuhel për Sky Sports.