NASHI BROOKER *Studiuese/ Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale të Turqisë, ndërsa në vitin 1921 familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do të vendosej në Tiranë.

Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.

Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit, “Sa u tund jeta”.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i asaj kohe, Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

HISTORIA E DHIMBSHME

Thëniet e saj ishin akuzat e një shpirti të pamposhtur rilindës që sfidonte vdekjen. “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Pas këtyre fjalëve, ajo nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës, edhe pse ky i fundit e njihte mirë familjen intelektuale dhe patriotike të Kokalarëve nga Gjirokastra. Madje, Hoxha kishte lidhje gjaku me Musinenë, por ai nuk e kurseu as atë, pasi kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit e saj, në nëntor të vitit 1944. Sistemi i kaluar kishte dhe një inat tjetër me Musinenë.

Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon Partinë Socialdemokrate në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi njëpartiak i Hoxhës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra.

Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.

Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.

ÇASTET E FUNDIT TË JETËS

Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?… Unë s’jam fajtore…”.

Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës, ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri.

“Ç’fat tragjik, shkruan ajo. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.

E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s´kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?”. “Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.

Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë kokalari2nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje.

Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Falë ditëve që erdhën u mundësua të thuhet e vërteta për personalitete të tillë si Musine Kokalari. Diktatura e burgosi, e internoi, e vdiq, por nuk e varrosi dot. Ajo i mbeti gjallë popullit dhe atdheut, një dritë e pashuar e kulturës shqiptare. Nga piedestali ku e vendosi koha, ajo vazhdon të thotë : “Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë. Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë”.

Nashi Broker: Pas operacionit në gjoks, Musinenë e lanë 18 muaj pa mjekim

Në atë ditë të shtunë, më 13 gusht 1983, temperaturat e regjistruara në Itali ishin rreth 40 gradë celsius. Po kaq duhej të ishte edhe në Rrëshen e Tiranë. Musine Kokalari kishte mbi dy vjet që vuante nga kanceri i gjoksit e 18 muaj që plaga e operacionit në gjoksin e djathtë vazhdonte t’i kullonte.

Si etnografe e shkrimtare është e volitshme të sjellim për këtë shkrim legjendën e lashtë, gruan e murosur në Kështjellën e Rozafës. Sipas kësaj legjende tejet të përhapur, publikuar edhe përtej Shqipërisë, gjiri i ishte lënë jashtë që të kullonte pika qumështi për foshnjën e saj…… Ashtu edhe nga gjiri i djathtë i Musinesë, i pamjekuar prej 18 muajsh pikonte gjaku i themeleve të demokracisë së ardhshme. Ajo mjekohej vetëm me rifocine vaj peshku. Edhe për mjekimin e saj defiçient ishte që shteti kishte vendosur.

Dhe sëmundja u kthye kundër meje krejt e pamëshirshme…, nuk m’u dha mundësia të kaloja disa vite të qeta…

Ato ditë gushti, Musinea dëgjonte fëmijët që luanin jashtë. Zëra plot jetë ishin fijet e lidhjes së saj me të tashmen e të shkuarën, kujtonte vitet e fëmijërisë dhe vitet e shkollës si mësuese. Do ishte gushti i vitit 1983 i fundit dhe fatal për të. Dhe në heshtje qyteti filloi të ndjente mungesën e hapave të saj të ngadaltë dhe elegantë. Urës së Fanit kishte filluar t’i mungonte shëtitja e Musines pasditeve. Hapat e saj të lehtë tashmë filluan të shterojnë ditë pas dite… Dhe kafja buzë rrugës kishte tashmë një klient thuajse të përditshëm më pak. Ajo ishte gruaja që vinte vetëm, ulej vetëm, pinte kafen vetëm e bënte mijëra dialogë në heshtje me veten. Trupi i saj elegant dhe bukuria e saj po shuheshin si qiriu i ndezur për një lutje e një nëne që ka humbur djalin, motra vëllain dhe gruaja burrin. Lutjet e saj kishin 38 vjet që ishin lëshuar në heshtje. Kishte qenë lutja për dy vëllezërit që u nda përgjithmonë, më 12 nëntor ’44, për Anën që e ndoqi në çdo derë burgu, dhe të venë e Mumtazit dhe Vesimit. Por shuarja e Musines kishte filluar shumë më herët. Nën peshën e zinxhirëve demoniane, të cilët e ndaluan të ëndërronte për një të nesërme shumë ndryshe, për librat e mbetur në dorëshkrime; për poezi të pashkruara, për familje të pakrijuar dhe për fëmijë të ndaluar. E nesërmja e Musine Kokalarit u pre me sëpatën e hekurt shtetërore më 12 nëntor 1944.

‘Jam a varrosur për së gjalli……’

Emri i saj i nënvizuar me bojë të verdhë së bashku më librat e saj në mbledhje shkrimtarësh, organizata partish, takime poetësh dhe gazetarësh. Një vijë keqndjellëse e gishtave të përfaqësuesve të shtetit që morën pjesë në shkatërrimin fizik total të saj. Një shtet që hartonte dhe inskenonte rrëfime autokritikash e poshtërimesh publike në çdo skaj të vendit. Shtetar që paguheshin për hartimin elitave sekrete me emra viktimash të pafajshme, shënime absurde e akuza të fabrikuara. Shtetar të një shteti që shkollonte dhe paguante mijëra njerëz për të mbajtur lart urrejtjen, për atë që nuk është “yni, nuk është gjaku i partisë”

Më 1 gusht 1983, Musinea shkruan letrën e fundit kushëririt të saj Platon Kokalarit.

Fundi tragjik, ku dergjem është fatal. Ishalla mbaron shpejtë të gjitha. E vetmja zgjidhje.

Duke të pritur, ju përqafoj të gjithëve, Musinea.

Është një letër e dhimbjes njerëzore, thirrëse, përçuese e vetmisë së detyruar. Është letra e lamtumirës dhe ndarjes përfundimtare me botën e gjallë. Pranë shtratit të saj ne ditën e fundit Musinea nuk pati askënd. Asnjë dorë t’i jepte një gotë uji të ftohtë, t’i njomte buzët e zhuritura nga sëmundja dhe i nxehti i verës. Vdekje varri brenda në dhomë. Fqinjët duhet të ishin armiq të popullit që të kishin të drejtën t’i flisnin, ta pyesnin si ishte me shëndet e t’i shërbenin. Nuk kishte më kuptim për të kjo jetëzgjatje.

Tashmë po e pranoj fundin tim… Ti mbyll sytë njëherë e përgjithmonë. E për çfarë të jetoj? E di që vetëm pas vdekjes vjen liria……

Vdekja ishte vendosur aty në dhomën e vogël të Musines. Aty ku dergjej trupi i saj mbi minderin në qoshe, shtrirë mbi dyshekun tepër të vjetërsuar me mision të pakthyeshëm. Ndoshta përgjatë delirit të vdekjes ndjente pranë portretet e Rilindasve varur në murin e dhomës së saj të vogël. Ndoshta po bisedonin së bashku butësisht siç dinin vetëm ata të flisnin. Portretet e nënës dhe babait ndoshta u ngritën nga nëndheu…. Dhe ngadalë trupi i saj po zhytej në akullnajën e vdekjes, në qetësinë e përjetshme të shumë pritur. Fjalori enciklopedik shqiptar ishte pranë kokës së saj. Një dëshirë e përmbushur deri në fund të jetës së saj. Gjuha shqipe, Shqipëria, gjerësia dhe thellësitë e botës shqiptare, rrënjosur në çdo qelizë të trupit dhe mendjes së saj tashmë ishin aty, të gjithë së bashku.

Poetesha, prozatorja, etnografja, demokratja, intelektualja Musine Kokalari pushoi përgjithmonë më 13 gusht 1983 në mbrëmje. Musinea u varros pa ceremoni sapo kish rënë mbrëmja e 14 gushtit 1983. Kush kishte dëshirë ta shoqëronte trupin e pajetë të saj e të shihej se kishte lidhje me të? Frika për reprezalje personale dhe familjare ishte e kuptueshme. Musinea ishte “njeriu i braktisur” e sipas propagandës se kohës “ishte balliste, agjente e të huajve, kriminele e rrezikshme…”. Asnjë kafe e zezë nuk u nda për të atë ditë. Asnjë vizitë ngushëllimi, asnjë vargë vajtimi nuk u dëgjua diku nga askush. Dhe atje nën dhe ajo vazhdonte të ishte e prangosur nga vdekja dhe nga totalitarizmi, por tani prangat totalitariane e kishin të pamundur ta lëndonin më.

Gjirokastra ime e dashur që ngule idetë e para përparimtare tek unë. Të lashë e më s’të pashë,- shkruan Musinea një ditë vere duke soditur lëndinat e Rrëshenit. Sokakët e Gjirokastrës ato ditëgushti kishin humbur një njeri që e deshi dhe nderoi atë. Qyteti kishte humbur një jetë qe e donte jetën. Vajza që përjetoj me pasione epokën historike të viteve ’30-’40-të Belle Époque. Gjirokastra kishte humbur novelisten, e cila përshkroi në librin e saj “Sa u Tunt Jeta” jetën e gruas gjirokastrite me një gjuhë të përkryer dhe të pa arritshme ndonjëherë.

Ndoshta sot Gjirokastra duhet të ulet dhe të shpallë një ditë vajtimi për Musine Kokalarin. Edhe Tirana atë ditë gushti përjetoi në heshtje humbjen e saj. Tirana humbi një jetë të fuqishme edhe më e madhe se vetë jeta. Por asnjë fjalë nuk do botohej nga Tirana për të. Asnjë gazetë nuk do shkruante për veprën e saj. Asnjë shkrimtar i kohës nuk do të guxonte të shkruante për vdekjen e saj. Do të ishte e kotë sepse do të thoshte mijëra burgosje ekzistuese plus një viktimë tjetër. Rrësheni kishte humbur Musine Kokalarin, gruan që kishte sfiduar çdo paragjykim politik dhe social për katër dekada rresht. Trupi i saj ulur në stol, me libër në dorë, nuk do shihej më në lulishten e qytetit të vogël. Fqinjëve të saj iu shtua një dhomë e kyçur, e cila nuk u hap më kurrë. Një shqetësim më pak për ta. Një frikë me pak të shiheshin pranë saj e raportoheshin sepse Musine Kokalari, “ishte gruaja më e rrezikshme kundër regjimit komunist dhe kushërira e Enver Hoxhës…”.

MUSINEA BASHKËKOHORE

Në një periudhë ku njeriu dhe shoqëria ishin të rrethuar nga errësira, Musine Kokalari na jep me jetën e saj një shembull që na nxit të mendojmë dhe krijojmë një botë ndryshe dhe më njerëzore. Të gjithë ne mundet të mësojmë nga një faqe e librit të saj më të arritur “Sa u Tunt Jeta”. Personazhi kryesor i novelës së saj trajtohet jo më shumë se mall për t’u shitur në pazar, mall pa gojë, zë, dëshira, ëndrra dhe jetë. Për dikë të sfidojë trajtimet brutale dhe absurde lexo një faqe shkruar nga Musine Kokalari me aq mjeshtëri.

Kosova nuk harroi asnjëherë Musinen. Meliza Krasniqi, studiuesja dhe autorja e librit Musine Kokalari deklaron për TV Klan, ‘Pikërisht në vitin 1983, Musine Kokalari përmendet në revistën “Jeta e Re”, e cila vazhdon të botojë shkrime edhe sot. Ibrahim Rugova po në vitin 1983 deklaron se Musine Kokalari duhet studiuar sepse krijimtaria është shkruar me një gjuhë tepër interesante.

Është për t’u pranuar që ne nuk kemi njohur gra dhe figura të ngjashme si Musine Kokalari prej 80 vjetësh. Por edhe se nuk kemi pasur figura grua si ajo edhe para saj. Një grua intelektuale, mendimtare dhe përparimtare, që pati një vizion të qartë dhe lidhi natyrshëm, krejt njerëzisht themelet e demokracisë me virtytet rrënjosur thellë në shpirtin e saj.

Burimi: Panorama.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *