Prej ditës së sotme, përdorimi i Tunelit të Llogorasë bëhet me pagesë. Vendimi është zyrtarizuar me një udhëzim të përbashkët nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, ku përcaktohet skema e plotë e tarifave për çdo kategori automjeti.

Çmimet variojnë nga 100 lekë për motoçikleta, deri në 5 mijë lekë për kamionët dhe autobusët e rëndë, ndërsa mjetet e policisë, ambulancat, zjarrfikëset, mjetet ushtarake dhe ato të ARRSH-së gjatë kryerjes së detyrës janë përjashtuar nga pagesa. Përjashtim gëzojnë gjithashtu edhe personat me status invalidi kur përdorin automjetet për nevoja personale.

Skema e tarifave sipas llojit të automjetit:

100 lekë – motoçikleta dhe mjete me dy rrota;

250 lekë – makina të pasagjerëve dhe automjete të lehta shpërndarjeje (deri në 1.30 m lartësi);

500 lekë – makina me rimorkio ose karavan; 1,000 lekë – furgonë, minibusë dhe automjete të mesme;

5,000 lekë – autobusë dhe kamionë të rëndë.

Autoritetet kanë sqaruar se abonimet për përdoruesit e rregullt do të hyjnë në fuqi pas gjashtë muajsh, pasi të përcaktohen procedurat dhe tarifat përkatëse.

Një tjetër rregull i rëndësishëm është ndalimi i hyrjes në tunel të mjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, për arsye sigurie.

Për zbatimin e vendimit dhe funksionimin e tunelit janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Enti Kombëtar i Operimit Rrugor.

Tuneli i Llogorasë, i konsideruar si një nga veprat më të mëdha inxhinierike të viteve të fundit, pritet të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut dhe të shndërrohet në një pikë kyçe për turizmin.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *