Gjysma e parë e këtij viti ka sjellë një nivel rekord të ardhurash nga shtetasit e huaj që kanë udhëtuar në Shqipëri.
Në kahun tjetër, edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë arritur shifra të papara deri tani.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bëjnë të ditur se në 6 mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik këtë vit. Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në tremujorin e dytë, shpenzimet e të huajve arritën në 930 milionë euro, me rritje prej gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Sipas Ministrisë së Turizmit, fronin vijon ta mbajë ai i turizmit patriotik dhe konkretisht shqiptarët e Kosovës, me 40% të totalit. Nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri për 6 muajt e parë të vitit mbi 1.38 milionë vizitorë apo 43 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Në vend të dytë janë italianët, me 310 mijë vizitorë nga shteti fqinj duke shënuar rekord që në 6 mujorin e parë. Italianët zinin 9% të totalit. Shifrat tregojnë se për nga numri Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë respektivisht grupi i tretë dhe i katërt që edhe këtu pjesë dominuese ndër vite kanë qenë shqiptarët e trevave. https://www.monitor.al/
Nuk kursehen as shqiptarët jashtë
Më shumë të huaj po vijnë në vend, por dhe më shumë shqiptarë po zgjedhin të udhëtojnë jashtë vendit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për gjashtë muajt e parë të vitit shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 977 miilionë euro, me një rritje prej 23% në krahasim me janar-qershor 2022.
Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, është 3.024.102, duke u rritur me 20,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vendit i mbeten 794 milionë euro nga turizmi
Ndonëse të huajt kanë shtuar shepnzimet në Shqipëri, e njëjta gjë ka ndodhur dhe me shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë. Megjithatë, më shumë para kanë mbetur në vend. Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë ishte 794 milionë euro, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Që prej vitit 2015, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të udhëtimeve, që ka ardhur duke u rritur viti pas viti.
Burimi: Monitor.al