Një turiste amerikane u gjet e pajetë në Shkodër, ndërsa policia deklaroi se ka shoqëruar bashkëjetuesin e saj si të dyshuar për krimin.
Policia njofton se çifti kishte marrë me qira një banesë në Shkodër. Në momentin e shoqërimit, bashkëjetuesi ishte në gjendje të dehur dhe kishte dëmtime në duar nga një mjet prerës, me të cilin dyshohet të jetë kryer edhe krimi.
Njoftimi i Policisë
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës shtetasja amerikane, S. S.
Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi ishte në gjendje të dehur dhe kishte dëmtime të lehta në duar, të shkaktuara nga mjete prerëse.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.