Nga Lutfi Dervishi

Mburremi me miliona turistë, por nuk mburremi dot me një rubinet që punon. Kjo është vera e vitit 2025: vendi ku avionët zbresin, jahtet e miliarderëve ankorohen për naftë, por uji… mungon.

Dhe jemi ende në muajin qershor.

Nëse pyesni sot pushuesit në Durrës, Vlorë, Sarandë, Himarë, nuk do të dëgjoni më histori për detin kristal apo për natyrën e virgjër, për ushqimin bio, për çmimet e shezlongëve, por për legenët bosh, dushet që s’punojnë dhe njoftimet në grupet WhatsApp: “Ujë nuk ka.”

Kemi bërë reforma në ujësjellës aq shumë, sa lodhemi po t’i numërojmë. Çdo vit një reformë, çdo vit premtime, çdo fushatë zotohen për ujë 24 orë, dhe çdo verë… suksesi matet me sa pak ujë ka në depozitat e qytetarëve.

Uji i pijshëm? Luks.

Uji për dush? Ëndërr.

Uji për të larë pjatat? Fantazi!

Por çmimi i ujit? Ai ecën si turizmi. Ngrihet, ngrihet, ngrihet pa ndalur, ndonëse uji nuk ngjitet as në katin e parë.

Kjo është mënyra jonë atipike e zhvillimit:

Në fillim hapim gropën. (Kjo nuk është metaforë.)

Pastaj vëmë tabelën: “Filluan shitjet, apartamentet me pamje nga deti!”

Dhe vetëm kur gjithçka është shitur, me çmime si “frëngu pulën”, kujtohemi se mungojnë kanalizimet, mungon uji, mungon energjia.

Bota planifikon, bën infrastrukturën dhe pastaj ndërton.

Ne ndërtojmë ëndrrën, pastaj kujtohemi se duam ujë.

Asnjë shpjegim publik nga ujësjellësit e Durrësit, Vlorës, Sarandës.

Ndërkohë, ministrat janë të zënë me Instagram. Postojnë bregdetin e Shqipërisë, malet, fshatrat piktoreske – kryesisht ato ku s’ka mbërritur ende dora e qeverisë, sepse sapo mbërrin dora e qeverisë, mbërrin betoni.

Fan Noli thoshte: “Pranë ujit, i palarë.”

Sot kemi përparuar: pranë detit, pa dush; pranë apartamentit luksoz, me depozita bosh; me fushata për “turizëm elitar”; me turistë që dalin në rrugë me shishe plastike në dorë, si emigrantë në kampe refugjatësh.

Një thirrje për turistët e huaj: nëse deri dje erdhët me bukë me vete, sot e tutje mos harroni bidonat e ujit.

Po ndërtojmë turizmin elitar:

Jemi vendi i vetëm ku shitjet fillojnë para kanalizimeve, ku fushatat për turizëm ndizen para se të “ndizet” rubineti, dhe ku e vetmja gjë që rrjedh lirshëm është propaganda.

Uji?

Uji, po pret në radhë bashkë me pushuesit.

Jazëk!

By Editor