Pas “pushtimit turistik” të Shqipërisë nga italianët, duket se radha është e gjermanëve.

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në janar-mars 2024, numri i vizitorëve nga Gjermania gati u 10-fishua në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Konkretisht, sipas të dhënave të bëra publike, në këtë periudhë erdhën rreth 134 mijë vizitorë gjermanë, kurse një vit më parë 17.5 mijë.

Askush nuk mund të vërë në dyshim faktin që Shqipëria po përjeton një vit mjaft të mirë turistik edhe këtë vit, që është vijim i trendit të dy viteve paraardhëse, por a po na pushtojnë vërtet gjermanët?

Në fakt, jo! Gjasat janë që ky të jetë një gabim trashanik i departamentit që përpunon dhe publikon të dhënat mbi vizitorët, të cilat merren nga Instituti i Statistikave.

Themi gabim trashanik pasi nuk mund të jetë lapsus kur nuk ka problem vetëm Gjermania, së cilës në fakt i është vënë shifra që i takon Greqisë duke e përsëritur atë. Publikimi për shkak të formulës që është aplikuar është i gjithi një gabim i madh.

Për shembull, numri i vizitorëve nga Kosova raportohen se është 631 mijë në janar-mars dhe sipas Ministrisë me rritje 184% në raport me të njëjtën periudhë të 2023-it kur ishin 433 mijë.

Në fakt, edhe me sy të lirë, duket qartë që kjo nuk është një rritje gati 3 herë më e lartë por vetëm, 46%. (nëse rritja do të ishte 184%, atëherë hyrjet në janar-mars 2023 duhet të ishin 222 mijë, jo 433 mijë sa është shkruar në tabelë).

Maqedonia e Veriut raportohet me rritje 61% kur ndërkohë është vetëm 33%. Polakët raportohen me rritje gati 9 herë kur në fakt është gati 6 herë.

Të dhënat e INSTAT, në publikimin e lëvizjes së shtetasve nënvizonin se në tre muajt e parë të vitit vizitorët e huaj ishin mbi 1.5 milionë ndërkohë që Ministria e Turizmit, që sërish citon INSTAT, raporton 1.7 milionë pra me një diferencë prej 200 mijë vizitorësh më shumë në numërimin e ministrisë.

Nga ana e tij, INSTAT ndonëse e ka në database treguesin e hyrjeve të shtetasve të huaj sipas shteteve, nuk e ka populluar atë.

Viti 2024 edhe siç raportohet nga turoperatorët pritet të jetë një vit më i mirë turistik sesa viti që lamë pas edhe si efekt i kontratave me garanci që kanë qenë me rritje dhe që janë sinjali i parë por sidomos prej fluksit të turistëve individualë që janë rritur ndjeshëm.

Strategjia e promovimit në mediat ndërkombëtare por edhe kthimi i Shqipërisë në virale në rrjetet sociale ka dhënë një efekt të jashtëzakonshëm pozitiv në rritjen e interesit për të vizituar vendin tonë si destinacion por duket se ky moment që kërkon seriozitet dhe politika të kujdesshme nuk po merret seriozisht.

Shifrat e prodhuara dhe të interpretuara gabim mbi të cilat hartohen politikat, strategjikë dhe masat mbështetëse nuk mund të pretendohet se do të japin efektin e dëshiruar në sektor pasi nuk mund të presësh të kesh rezultat të saktë mbi llogaritje të gabuara.

Edhe më herët këto shifra janë parë me rezerva për shkak të kalimeve të pa numëruara saktë me Kosovën pasi kemi kalim të lirë apo atyre që përdorin për tranzit vendin tonë, por qëllimi këtu nuk është të zbehim shkëlqimin e turizmit por të ndërgjegjësojmë institucionet të publikojnë me përgjegjshmëri shifrat që media i merr seriozisht dhe i “çon” tek publiku si pjesë e misionit të saj.

“Raportimi shkencor i të dhënave statistikore për numrin real të turistëve, nuk është vetëm nevojë e adaptimit të të dhënave tona sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Turizmit, por është edhe kuptim dhe raportim real i rritjes dhe i ndryshimeve pozitive në masën e saktë, duke evituar fluturimet e tepruara e te gabuara në deklarime për realizimet apo parashikimet”, ka pohuar Besnik Vathi, Operator Turistik, në një artikull të mëparshëm.

Ai shton se analiza për kombësinë e hyrjeve është karakteristike tepër e rëndësishme për ndërtimin e strategjive më të sakta për te ndihmuar realisht, jo thjesht në rritjen e numrit te hyrjeve, por e të ardhurave.

“Nëse analizohen saktë tregjet që gjenerojnë turistë, autoritetet qendrore dhe lokale do jenë më në gjendje për të ndërtuar politika më të sakta që nuk synojnë thjesht të rrisin numrat, por të mbrojnë mjedisin dhe kryesorja të rrisin të ardhurat dhe punësimin”. / N.Maho

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *