Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, mori falenderime publike nga shteti turk për vendimin e qeverisë shqiptare që solli mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”, i konsideruar nga Turqia si pjesë e rrjetit të klerikut në ekzil, Fetullah Gylen. Turqia e njeh Gylenin dhe rrjetin e tij si organizate terroriste dhe ky qëndrim u pohua edhe gjatë qëndrimit të Xhaçkës për një vizitë zyrtare atje. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, shprehu mirënjohjen e shtetit të tij ndaj homologes shqiptare për vendimin e mbylljes së kolegjit turk në vendin tonë. “Ka disa zhvillime në lidhje me shkollat e FETO-s. Por këtë ne ia themi gjithmonë Shqipërisë vëllazërore. FETO nuk është vetëm një kërcënim për ne, është një kërcënim për çdo vend ku ndodhet. Çdo shtet është gjithashtu një inteligjencë, një vend tjetër i tretë e përdor këtë FETO, e përdor kundër nesh, e përdor kundër Shqipërisë. Ndërsa ju po luftoni kundër FETO-s, cilido shtet që ju ndërhyn apo ju sugjeron, dijeni se edhe ai vend është me FETO dhe kundër jush.” – tha ai.
Shefi i diplomacisë turke shkoi edhe më tej kur pranoi se Turqia i ka dorëzuar Shqipërisë lista me persona që dyshohen si përkrahës të FETO-s për të cilët kërkohet ekstradimi drejt Turqisë. “Sot, ne ndamë informacionin e nevojshëm në lidhje me ekstradimin e disa individëve [gylenistëve] në Turqi.” – tha Çavushoglu.
Deklaratat e minsitrit të jashtëm turk duket se provojnë qartë ndikimin e Turqisë në vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”, ndikim i cili është mohuar në vijimësi nga ana e autoriteteve shqiptare.