Propozimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza ka sjellë kundërshti të forta. Trump propozoi që palestinezët të zhvendosen në Egjipt dhe Jordani deri në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta e fundit, por si Egjipti ashtu edhe Jordania kanë shprehur kundërshti për këtë propozim.
Pas tyre, kundërshti pati edhe nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, të cilat e cilësojnë këtë ide si shumë të rrezikshme për paqen në Lindjen e Mesme.
![img44251png | Kumti](https://kumti.net/wp-content/uploads/2025/01/img_4425-1.png)
Reagim të fortë pati edhe nga Turqia, ku ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, tha para mediave në Ankara se largimi i palestinezëve nga atdheu i tyre është i papranueshëm dhe propozimi i Donald Trump është shumë i gabuar. Fidan shtoi se Turqia do të përdorë ndikimin e saj për të penguar këtë nismë.
Donald Trump e arsyetoi propozimin e tij me idenë e rindërtimit të Gazës së rrënuar nga lufta dhe tha se ky proces do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Trump shtoi se ky propozim është i vetmi që i jep fund mundësisë së rinisjes së luftës në këtë rajon, pasi në të kundërt ajo mund të rinisë në çdo moment dhe pasojat mund të jenë edhe më të rënda.