Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar në rrjetet sociale pas akuzave se 12 vite më parë kishte qenë bashkëautor i një artikulli ku, sipas pretendimeve, sulmohej lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Bashës, pjesëmarrja e tij në artikullin e titulluar “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e pashenjta” ka qenë e kufizuar vetëm në trajtimin e temës së islamit, pa asnjë lidhje me UÇK-në.

“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, kur unë isha student. Autorësia ime lidhet vetëm me Kapitullin 3, i cili trajton depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Përgjegjësia ime mbyllet aty. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe bashkautorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një demant për media, duke sqaruar se unë kam dorëzuar vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për atë pjesë”, ka shkruar Basha në Facebook.

Ai shtoi se luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit për liri e çmon si një vlerë të shenjtë:

“Unë, Dimal Basha, e vlerësoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga dora ime nuk është shkruar dhe nuk do të shkruhet kurrë asgjë që bie ndesh me këtë vlerë. U kërkoj ndjesë qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i pavërtetë dhe lus mediat të raportojnë drejt dhe saktë, sidomos për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës”- thekson Basha.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *