Turistët ishin bllokuar në një përrua afër fshatit Kosovë të Përmetit. Njëra nga turistet ishte dëmtuar dhe nuk ishte në gjendje të ecte, çka i ka detyruar të kërkojnë ndihmë.
“Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka marrë njoftimin se në fshatin Kosovë, njësia administrative Piskovë, 5 turistë francez, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në një luginë (përua), ku njëra prej tyre ishte rrëzuar dhe kishte dëmtuar gjymtyrë dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me shërbimet e emergjencave civile dhe ekipin mjekësor u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Turistët kanë falënderuar policinë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.” -thuhet në njoftimin e policisë.