Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj braktisi sot takimin e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me drejtuesit e partive opozitare për të diskutuar situatën e krijuar në veriun e Kosovës. Por, takimi ka zgjatur pak për Haradinajn i cili është parë të largohet para kohe. Në një postim të mëvonshëm në profilin e tij në fejsbuk, ish-kryeministri i Kosovës sqaroi se ishte larguar nga takimi pasi Kurti kishte filluar të mbante ligjërata. Haradinaj theksoi se ai i kishte kërkuar llogari kryeministrit Kurti për acarimin e raporteve me SHBA-të në një moment delikat për Kosovën. “Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë.”- shkroi ai.