Shaban Uklala, ekonomisti i Spitalit Rajonal të Dibrës, reagoi për herë të parë pasi u sulmua nga drejtoresha e këtij spitali, Irini Shehu, pak ditë më parë.
Uklala shkroi në Facebook se zgjodhi rrugën e drejtësisë dhe jo atë të kundërpërgjigjes së dhunshme, në kushtet kur drejtuesja e institucionit kaloi çdo limit.
Statusi i Shaban Uklala
Të dashur miq,
Ka ngjarje që të lënë pa fjalë. Ngjarje që as në ëndrrat më të këqija nuk mund të imagjinohen, as në faqet e librave të shkruar nga autorët më me fantazi nuk mund të lexohen, as në filmat më të errët nuk mund të shihen.
Më 11 shkurt, në vendin ku punoj me përkushtim prej vitesh, në zyrën time, ndodhi diçka e tmerrshme. Në zyrën time, drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës lajthiti dhe degjeneroi duke ushtruar dhunë ndaj meje.
Por unë nuk reagova me të njëjtën monedhë.
Dhe nuk është se nuk mundesha.
Por ajo ishte grua. Një burrë i vërtetë nuk ngre dorën mbi një grua, as kur goditet, as kur poshtërohet. Dora e burrit është bërë për të mbrojtur, jo për të plagosur. Ajo është bërë për të ngritur nga toka, jo për të sharruar përtokë.
Një burrë që godet një grua nuk është burrë, por thjesht një hije e dobësisë së tij.
Pas kësaj ngjarjeje, shumë të afërm dhe miq më kërkuan ta zgjidh këtë çështje ndryshe, sipas rregullave të “pashkruara të burrërisë”. Më thanë se sedra është prekur dhe se një burrë nuk mund ta pranojë një poshtërim të tillë pa hak. Kam dëgjuar fjalë që më kanë rënduar shpirtin, por kam zgjedhur të mos i ndjek.

Kam zgjedhur drejtësinë dhe jo vetëgjyqësinë.
Kam zgjedhur t’u qëndroj vlerave që më kanë mësuar prindërit e mi, dhe jo instinkteve të hakmarrjes.
Më kanë thënë të mos e bëj këtë çështje më të madhe, ta lë pas krahëve, sepse në fund të fundit, është grua.
Por a është ky një justifikim për dhunën e ushtruar në zyrën e shtetit?
A duhet të heshtim vetëm sepse kësaj here goditi një dorë e hollë dhe jo një grusht i rëndë me muskuj?
Dhuna nuk ka gjini, nuk ka justifikim dhe nuk duhet të ketë as heshtje!
Kam vendosur të ndjek rrugën e drejtësisë dhe jo të hakmarrjes.
Nuk e përdora forcën atë ditë, dhe nuk do ta përdor as sot. Forca ime është e vërteta. E vërteta që nuk do të mbetet e heshtur, sepse nëse sot mbyllim sytë përballë kësaj dhune, nesër ajo do të trokasë në derën e dikujt tjetër.
Dinjiteti nuk blihet me pushtet, dhe drejtësia nuk kërcënohet me arrogancë.
Nuk do të ndalem, sepse kjo nuk është vetëm një betejë personale, por një betejë për të gjithë ata që refuzojnë të nënshtrohen para abuzimit dhe frikës.
Përzemërsisht,
Shabani
P.S.: Çdo përpjekje për ta mjegulluar këtë ngjarje është thjesht një pasqyrim i mendjeve të ngatërruara dhe të ndyra, të zhytura thellë në baltën e batakut të tyre. Aty ku arsyetimi ka humbur dhe përpjekjet për të fshehur realitetin janë një pasqyrim i dobësisë dhe frikës. Ata që tentojnë ta fshehin këtë ngjarje janë vetë autorët, dhe nuk do të munden të bëjnë gjë tjetër veçse të thellojnë më tej hendekun e errësirës ku janë zhytur dhe të vërtetës që shkëlqen si drita.