Rritja e interesit turistik për Shqipërinë duket se ka orientuar një vëmendje më të madhe edhe ndaj hallkave të lidhura me të.

Së fundmi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit miratoi rregulloren që lidhet me programet e kualifikimit të udhërrëfyesve turistikë dhe sesi do të bëhet akreditimi i tyre.

Në qëllimin e kësaj rregulloreje specifikohet se në fokus është “përcaktimi dhe vendosja e standardeve të programeve të kualifikimit të udhërrëfyesve turistikë në Republikën e Shqipërisë dhe miratimi i procedurës së akreditimit, duke synuar garantimin e niveleve më të larta të njohurive, aftësive profesionale dhe kompetencave të udhërrëfyesve turistikë, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre”.

Ministria specifikon se programet e kualifikimit të udhërrëfyesve për disa kategori nga lokal tek kombëtar apo specialitet i veçantë janë në përmbushje me kriteret e ligjit për turizmin. Këto programe ofrohen së pari nga subjekte të licencuara në përputhje me legjislacionin për arsimin dhe formimin profesional dhe nga personel me kualifikimin dhe eksperiencë për modulin përkatës.

Së dyti ofrohen duke përdorur metodologji dhe materiale mësimdhënieje të përditësuara, duke marrë parasysh nevojat e sektorit përkatës së industrisë së turizmit dhe zhvillimet e fundit të teknologjisë. Në çdo rast kursantët që regjistrohen pranë subjekteve duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm

Rregullorja përcakton se subjektet që ofrojnë programe për kualifikimin e udhërrëfyesit turistik, njohin të nxënit e mëparshëm, të dokumentuar të kursantëve dhe nëse vlerësohet prej tyre mund bëjnë përjashtimin nga detyrimi për të ndjekur module specifike të programit të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik në bazë individuale.

Në nenin 5 rregullorja sqaron procedurat sesi do të bëhet akreditimi i programeve të kualifikimit për udhërrëfyesit turistikë.

Kështu si fillim procesi i akreditimit të programeve të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik bazohet në parimin e vetëvlerësimit. Çdo subjekt, që kërkon akreditimin e programeve të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik të ofruara prej tij, kryen një raport vetëvlerësimi.

Në pikën 2 të këtij neni rregullorja përcakton se programet e kualifikimit të udhërrëfyesve turistikë akreditohen nga një strukturë e posaçme, e ngritur pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe e miratuar me urdhër ministri, këtu e në vijim “Komisioni i Akreditimit”. Në përfundim të procesit të akreditimit, ministria përgjegjëse për turizmin miraton ose jo programin e kualifikimit.

Subjekti që kërkon akreditimin e programeve të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik që ai ofron paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin raportin e vetëvlerësimit ose një raport vetëvlerësimi të plotësuar online, si dhe dokumentet provuese, përfshirë kurrikulat e detajuara që ofron subjekti, kualifikimin dhe eksperiencën e personelit trajnues. Për turet demonstruese gjatë trajnimit praktik në terren, trajnerët duhet të jenë udhërrëfyes turistikë të certifikuar.

Komisioni i Akreditimit shqyrton raportin e vetëvlerësimit dhe dokumentet provuese jo më vonë se 7 ditë pune nga dita e aplikimit.

Në rast të mungesave, pasaktësive në dokumentacion, të mosplotësimit të standardeve sipas pikës 3,të këtij neni, Komisioni i Akreditimit i kërkon subjektit plotësimin e mangësive të konstatuara brenda 15 ditë pune.

Sipas rregullores pas plotësimit të mangësive nga subjekti, brenda afatit të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, Komisioni i Akreditimit, brenda 3 ditë pune, përgatit një raport, me rekomandime për dhënien ose refuzimin e akreditimit, si dhe evidenca e gjetjeve. Raporti, përveç rekomandimeve dhe gjetjeve përmban, nëse ka, rekomandime për subjektin në lidhje me masat që duhen marrë për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së programit të kualifikimit që ai ofron. Ato janë këshillimore dhe subjekti ka liri veprimi në lidhje me mënyrën e trajtimit të rekomandimeve.

Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar, brenda afatit të parashikuar sipas pikës 5 të këtij neni, Komisioni i Akreditimit, merr vendimin për refuzimin e aplikimit. Ministri përgjegjës për turizmin, bazuar në rekomandimin e Komisionit të Akreditimit, miraton akreditimin ose mosakreditimin e programit të kualifikimit të ofruar nga subjekti kërkues. Programi i kualifikimit i akredituar për udhërrëfyesit turistike është i vlefshëm për një afat 5-vjeçar.

Përgjatë periudhës së vlefshmërisë së akreditimit, subjektet kontrollohen nga ministria përgjegjëse për turizmin të paktën një herë në vit për vazhdimësinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara, sipas pikës 2, të nenit 3,dhe pikës 3, të nenit 5, të këtij urdhri dhe rekomandimeve të dhëna në raport. Në rast të verifikimit të mangësive të konsiderueshme, të cilat, sipas vlerësimit të Komisionit të Akreditimit nuk mund të ndreqen, i propozohet ministrit përgjegjës, shfuqizimin e akreditimit.

Burimi: Monitor.al

https://www.monitor.al/udherrefyesit-turistike-rregullorja-per-programet-e-kualifikimit-dhe-akreditimi/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *