Ish-ambasadori dhe drejtuesi i misionit të OSBE-së në kohën e luftës së Kosovës, Uilliam Uoker deklaroi se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duhet të ishte në Hagë. Sipas tij, presidenti serb ishte pjesë e një aparati dhune dhe gjenocidi, ndërsa krerët e UÇK-së kryen vetëm rezistencë në mbrojtje të popullit dhe vendit të tyre.
“Po të kishim një situatë normale, sot në bankën e të akuzuarve në Hagë do duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiç, e jo Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Të gjithë e dimë se çfarë roli ka pasur gjatë viteve të 90-ta Aleksandër Vuçiqi, dhe sot imagjinoni ai është President i Serbisë dhe për më tepër respektohet nga partnerët ndërkombëtar. Këtu e keni vetëm një shembull se sa shumë ka ndryshuar komuniteti ndërkombëtar në raport me Kosovën”- tha ai.
Diplomati në pension shtoi se aktualisht në qarqet e larta të vendimmarrjes politike në SHBA ka njerëz që nuk e njohin Kosovën dhe historinë e saj aq sa duhet.
“Ka ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe SHBA-të tani e shohin më ndryshe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mos harroni se kanë kaluar 23 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Duhet ta dini që në vendimmarrjen amerikane nuk janë më personat e njëjtë dhe tani jam shumë i shqetësuar se sa të painformuar janë disa prej tyre për të kaluarën e Kosovës. Prandaj do t’u sugjeroja që të lexonin më shumë histori.”- shtoi ai.